Aktualitet

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, rindërtohet skena e krimit, 3 ekspertët që do kryejnë eksperimentin

Ish-efektivi i forcave RENEA Arbër Paplekaj është i vetmi person që po përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjen

E.K
Vrasja e Pjerin Xhuvanit, rindërtohet skena e krimit, 3 ekspertët
Arber Paplekaj dhe Pjerin Xhuvani

ELBASAN- Policia e Elbasanit ka bllokuar mëngjesin e sotëm kalimin në rrugën e lagjes ‘5 Maj’, në mënyrë që të bëhet e mundur rindërtimi i skemës së vrasjes së 3 viteve më parë, ku mbeti viktimë Pjerin Xhuvani, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Vendosja e shiritave në zonë ka nisur që prej mbrëmjes së djeshme, e po vazhdon edhe sot nga 3 ekspertët që ka caktuar Gjykata e Elbasanit për rindërtimin e skenës, njëri prej të cilëve ekspert balistik dhe i vendngjarjeve në Policinë e Shtetit.

Me kërkesë të Gjykatës së Apelit të Tiranës do të bëhet kryerja e këtij eksperimenti hetimor për ngjarjen e rëndë për të cilën u dënua me 22 vite burg, Arbër Paplekaj ish-efektivi i RENEA-s që asokohe bënte pjesë në strukturën e mbrojtes së votës të ngritur nga PD. Tre ekspertët që po rindërtojnë skenën e krimit janë Arjan Hanko, pranë Institutit të Policisë Shkencore, Artan Rexhepi dhe Shpëtim Buda, ekspertë të pavarur.

Eksperimenti hetimor vjen pas kërkesave të Arbër Paplekaj, i cili kërkoi të caktohet këndi i qitjes jo vetëm prej tij, por edhe dy persona të tjerë që nuk janë identifikuar ende pas kësaj ngjarjeje.

Paplekaj është i vetmi person që po përballet me drejtësinë lidhur me ngjarjen, edhe pse është deklaruar se ka pasur një deformim të ngjarjes dhe përpjekje për të fshehur episode të saj, duke mos kryer një hetim të plotë.

Kjo do të jetë hera e dytë që rindërtohet ngjarja. Më herët, Prokuroria e Elbasanit rindërtoi ngjarjen në korrik të vitit 2022, por që duket se ka lënë dyshime mbi konkluzionet.

Si ndodhi vrasja?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. 

Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri./ZËRI

Poll

MOS HUMB