Aktualitet

Vrasja e policit/ Krerët e opozitës 'zbarkojnë' në zyrën e Osmanit

Sa i përket sulmit të 24 shtatorit Haradinaj tha se duhet të ketë një hetim ndërkombëtar, pasi sipas tij, ky rast është “pastër terrorizëm”, duke fajësuar Serbinë se qëndron prapa tij.

E.K
Vrasja e policit/ Krerët e opozitës 'zbarkojnë' në
Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj

KOSOVË- Sulmi terrorist në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij ka bërë që këtë të mërkurë liderët e opozitës të ''zbarkojnë'' në zyrën e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani. Në takim ka marrë pjesë dhe drejtori i Agjensisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

Përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku tha se në takim me Osmanin dhe Ajetin u informua për gjendjen e sigurisë në Kosovë pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre agresorët.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në takim u informua për gjendjen e në Kosovë pas sulmit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues të dyshuar.

Lumir Abdixhiku: Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se në lidhje me situatën është e rëndësishme që të ketë bashkëbisedim. Sa i përket sulmit të 24 shtatorit Haradinaj tha se duhet të ketë një hetim ndërkombëtar, pasi sipas tij, ky rast është “pastër terrorizëm”, duke fajësuar Serbinë se qëndron prapa tij.

Ramush Haradinaj: Serbia nuk e fsheh faktin se është sponsorizuese, trajnuese dhe i ka dhënë udhëzime këtij grupi terrorist. Me qenë se është kështu, është mjaft me interes të Amerikës dhe BE-së të zhvillohet një hetim dhe të vërtetohet që Serbia është prapa këtij sulmi edhe pse shihet e dihet botërisht por, të hetohet nga hetuesit ndërkombëtarë, me mundësi edhe të një gjykate, ashtu siç ka ndodhur me Kosovën (të ndodhë) edhe për Serbinë, të gjykohen ata që po e rrezikojnë rajonin me vepra terroriste.

Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takohet më vonë gjatë ditës me Osmanin.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.

Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB