Aktualitet

Vrasja e recepsionistit në Dhërmi, policia kontrolle nga toka dhe ajri për trupin. Dy persona dyshohet se ndihmuan autorin

E.K
Vrasja e recepsionistit në Dhërmi, policia kontrolle nga toka dhe ajri
Gerald Shehu dhe Eraldo Nevruzi

TIRANË- Dy ditë nga vrasja e 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi, policia po vijon kontrollet nga toka dhe nga ajri për gjetjen e trupit të tij, ndërsa kërkimet janë përqëndruar në zonën e Gjipes. I riu nga Tirana, u vra me armë zjarri nga bashkëpronari i hotelit në Dhërmi ku punonte, shtetasi Gerald Shehu. Ky i fundit u vu në pranga pasditen e djeshme në Korfuz, Greqi, teksa po tentonte që të largohej drejt Britanisë së Madhe ku jetonte prej vitesh.

Dëshmia e tij pritet që të jetë deçizive në zbulimin e trupit të Nevruzit, që sipas policisë është qëlluar brenda hotelit, në dhomat e ngritura për stafin që shpërngulet në Jug gjatë sezonit të verës. Policia vijon që të qëndrojë brenda hotelit, për shkak se ka dyshime se dy persona të tjerë e kanë ndihmuar Shehun në fshehjen e trupit të të riut. Policia shqiptare do të tentojë që Shehu të sillet nga Greqia pa pritur procedurat e ekstradimit, në mënyrë që hetimet të përparojnë më shpejt.

Gjatë ditës së djeshme, policia mori në pyetje rreth 30 persona, që ishin punonjës të hotelit dhe jo vetëm, për të mbledhur sa më shumë informacion në lidhje me rrethanat e vrasjes.

Si ndodhi ngjarja?

Eraldo Nevruzi u vra mesnatën e të mërkurës, në Dhërmi, rreth orës 00:30. Ai ishte vetëm një javë që kishte nisur punën në Hotelin Greccia në Dhërmi, ku Gerald Shehu ishte një prej bashkëpronarëve, së bashku me vjehrrin e tij. Autori rezulton që të jetë një person me precedent të mëparshëm penal.

Sipas policisë, Shehu e ka qëlluar me armë zjarri 31-vjeçarin në një nga dhomat e hotelit, pasi ai kishte marrë turnin dhe pasi ka zhdukur trupin, është arratisur drejt vendit fqinj, Greqisë. Ai dyshohet se doli nga hoteli rreth orës 01:00.

Autori dyshohet se u arratis me një makinë tip “Audi”, e cila u gjet afër portit në Sarandë dhe më pas udhëtoi drejt Qafë Botës, i ndihmuar nga persona të tjerë.

Dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli ku të dy, viktima dhe autori jetonin e punonin./ZËRI

Poll

MOS HUMB