
SHBA- Familja e Suela Saliajt, e cila u vra në orët e para të së hënës në banesën e saj në Florida, kërkon ndihmë për vajzën e mbetur pa prindërit. Përveç nënës, ajo ka mbetur dhe pa të atin, Renato Muhaj, i cili është dhe autori i krimit makabër, që ndodhi në prani të 8-vjeçares. Në një llogari të hapur në GoFoundMe, familja e Suelës kërkon ndihmë për Alesian e vogël, ndërsa në një kohë të shkurtër janë grumbulluar mijëra dollarë.
Vajza ka qenë dëshmitare e vrasjes së nënës nga babai i saj, dhe më pas u rrëmbye prej tij, derisa u arrit që të shpëtohej nga policia. Ajo i tregoi hetuesve se e kishte parë 34-vjeçarin ta godiste të ëmën me thikë dhe dorezë hekuri disa herë, në dhomën e gjumit. E vogla, gjithnjë sipas mediave atje, i tha policisë se e dinte që e ëma kishte vdekur dhe se e kishte pyetur të atin: “Përse e bëre këtë?”.
THIRJA PËR NDIHMË:
Të dashur miq dhe familjarë, ne bashkohemi në një kohë pikëllimi për të kërkuar mbështetjen tuaj ne lidhje me shpenzimet e varrimit dhe kujdesin e Alessias. Cdo gje i dedikohet kujtimit të Suelës sonë të dashur. Bujaria juaj gjatë kësaj kohe të vështirë do të na ndihmojë të nderojmë kujtimin e saj dhe të sigurojme nje stabilitet per vajzen e saj të çmuar. Faleminderit që jeni burim ngushëllimi dhe mbështetjeje. Suela ishte jeta jonë, gëzimi ynë, vajza, motra, kushurira, shoqja e ngushte, mami më e mirë ne bote për Alesian.
Të gjithë do ta kujtojnë atë si shpirtin më të dashur, nënën më të përkushtuar, kolegen e dashur. Cdo person qe pati fatin te njihte Suelen, e di qe ajo adhuronte natyren, adhuronte te udhetonte, dashuronte jeten dhe kalonte cdo moment te dites me njerzit e saj me te dashur. Gjithmone do kujtojme momentet kur kercente me Alessian dhe ishte plot jete. Suela do te na mungoje pa mase. Familja eshte ne zi dhe akoma te pamundur te besojne kete lajm. Detajet mbi daten dhe oren e sherbimit funeral per ne banesen e fundit do te postohen ne ditet ne vijim. Faleminderit! Familja e Muke dhe Pranvera Saliaj.
Suela Saliaj u vra nga bashkëshorti i saj, Renato Muhaj në Florida. Ajo u gjet e vdekur në banesë nga punonjësit e policisë, ndërkohë që 34-vjeçari rrëmbeu më pas vajzën e çiftit, e cila u arrit që të shpëtohej disa orë më vonë. Suela jetonte prej disa vitesh në SHBA, ku kishin emigruar më pas dhe prindërit si dhe vëllai i saj. Shkak i krimit dyshohet se është bërë konflikti për kujdestarinë e vajzës, pasi çifti prej disa muajsh ishin në proces ndarje.
/ZËRI