
ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka dhënë pretencën, për autorët e vrasjes së të miturit Fatjon Bici në Gramsh. Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg për Orgito Çarçiu, i cili është i dyshuar si autori i vrasjes.
Gjithashtu prokuroria kërkoi nga 10 dhe 8 vite burg për bashkëpunëtorët e tij, Ergi Karaj, Stiven Murati, Xhonatan Çekrezi.
Prokuroria ka kërkuar maksimumin e dënimit që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të mitur. Por gjykata më herët ka pranuar gjykim të shkurtuar për 4 adoleshentët.
Kjo do të thotë se edhe në rast se pranohet kërkesa e prokurorisë, të 4 të miturit do të përfitojnë ulje dënimi.
Ngjarja e rëndë u shënua në Maj të vitit të kaluar, vetëm pak metra larg shkollës ku 4 adoleshentët i bënë pritë kushëririt të Fatjon Bicit, me të cilin ishin konfliktuar në rrjete sociale. Të pajisur me thika dhe doreza forcuese grushti sulmuan kushëririn e Fatjonit, ndërsa ky i fundit mbeti i vrarë me thikë teksa hyri për ta mbrojtur./ZËRI