
GRAMSH- Tragjedia e Martinit 14-vjeçar, duket një kopje e tragjedisë së vitit 2023 në Gramsh ku nxënësi 15-vjeçar Fatjon Bici, u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Fatjoni ndërhyri për të mbrojtur kushëririn nga një sherr në rrjetet sociale, por u godit me thikë në zemër, njëjtë si Martini.
Nëse shoqëria e ka lënë pas atë ngjarje, familja Bici nuk mund ta lërë kurrë. Kjo, edhe për pretendimet rreth asaj që luhet në shkallët e drejtësisë. Dënimi që morën 4 autorët e mitur, nuk e ka shuar dhimbjen. Nga 70 vite burg në total që u vendos nga Gjykata, ata u dënuan përfundimisht me 46 vite e 6 muaj në total.Autori kryesor, ai që goditi me thikë, Ergi Karaj, u dënua 27 vite, por do të vuaj 18 sipas gjykimit të shkurtuar.
Kjo ka sjellë kundërshtitë e familjes së viktimës. Nga një takim që Inside Story ka pasur me familjen Bici, ata shprehen të irrituar për këtë vendim dhe tashmë kanë nisur betejë ligjore. Kjo, bazuar edhe në praktika të ngjashme në të shkuarën.
Bazuar në nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, gjykimi i shkurtuar nuk mund të zbatohet për vepra penale, për të cilat parashikohet dënimi me burgim të përjetshëm, kategori ku bën pjesë dhe vepra për të cilën akuzohet i mituri në rastin e Gramshit.
Mirëpo as vetë ligji nuk është i qartë dhe lë hapësirë për interpretime. Përcaktimi sipas kodit penal, vrasje në rrethana cilësuese e të miturit, ka parasysh kur vepra penale kryhet nga një i rritur.Kjo ka sjellë që edhe vetë gjykata e lartë, së paku në dy raste, të marrë vendime të ndryshme, nëse duhet pranuar gjykimi i shkurtuar në rastet kur krimi kryhet nga të miturit. /INSIDESTORY