
GREQI- Ekzekutoi me armë zjarri 31-vjeçarin Erald Novruzi dhe zhduku trupin, arrestohet në Greqi, Gerald Shehu. 43-vjeçari është kapur vetëm pak orë pas bërjes publike të ngjarjes nga ana e Policisë së Shtetit. Sipas raportimeve të para, Shehu u kap në një aeroport të Greqisë, në tentativë për t’u arratisur drejt një vendi tjetër. Por deri më tani, për arrestimin e tij, Policia e Shtetit nuk ka dalë me një njoftim zyrtar. Por detajet nga aksioni i ka dhënë ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
"Zbardhja në një kohë sa më të shpejtë e ngjarjeve kriminale, gjetja dhe ndalimi personave të dyshuar si autorë apo të përfshirë në këto ngjarje, janë një sprovë e rëndësishme e performancës së policisë. Përgëzime Policisë së Shtetit për hetimet e deritanishme lidhur me një ngjarje kriminale në Dhërmi, ndalimin e një personi të dyshuar në një aeroport të një vendi fqinj. Do të punojmë me autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi për përballjen sa më parë me drejtësinë të personit të dyshuar,"-shkruan Balla. /ZËRI