
LEZHË- Detaje të reja janë zbardhur pas ngjarjes tronditëse ditën e djeshme (13 maj 2024), ku 62-vjeçari Arsen Dani ka vrarë me thikë nënën e tij Gjylije Dani 88-vjeç. U raportua se autori vuan nga problemet me shëndetin mendor, por jeta e tij ka pasur një rjedhë tjetër. Arsen Dani ka qenë student ekselent dhe është diplomuar për mjekësi, por më vonë, kanë nisur problemet psikologjike që janë rënduar me kalimin e viteve.
“Tashmë është vërtetuar edhe nga deklaratat që ai dha para hetuesve se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Është shfaqur shpesh i paqëndrueshëm, teksa kur u arrestua nuk ka bërë rezistencë, por ka thënë vetëm ‘Unë kam vrarë 2 mijë vetë dhe nuk më besuat, kur vrava nënën time, më besuat’. Sa i përket jetë së tij, ai kishte mbaruar shkollën për mjekësi, shokët dhe kolegët thonë sek ishte qenë ekselent. Ai kishte qenë shumë i shëndetshëm, nuk dihet se kur kanë nisur problemet me shëndetin mendor. Ka bërë dhe specializimin për mjekësi. Nuk dihet nëse e ka ushtruar profesionin e mjekut.”-tha gazetarja Brixhilda Deda në "Shqipëria LIVE".
Ish-arsimtarja u qëllua disa herë me thikë në pjesën e shpinës nga djali i saj Arsen Dani. Nga plagët e marra ajo gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa kanë qenë fqinjët të cilët kanë dëgjuar zhurmën dhe kanë njoftuar policinë. Policia arrestoi autorin Arsen Dani në banesë pa bërë rezistencë si dhe u sekuestrua thika me të cilin kreu vrasjen. Dani kishte probleme të shëndetit mendor, por nuk ishte raportuar më herët për probleme me fqinjët apo komunitetin ku jetonte. Fillimisht ai ka pasur një debat me nënën 88-vjeçare dhe më pas e qëlloi atë me thikë duke i marrë jetën./ZËRI