
KANADA- Ëngjëll Brahimi, 60-vjeçari shqiptar, i cili akuzohet për vrasjen e oficerit të Policisë Astrit Braçe dhe të djalit të tij të mitur refuzon ekstradimin nga Kanadaja drejt Shqipërisë ku pritet të përballet me pasojat. Mediat e huaja raportojnë se Brahimi refuzon ekstradimin me frikën e dënimit të gjatë që e pret për vrasjen e dy personave dhe se nuk beson tek drejtësia në vendin tone.
Dhe pse ia kishte dalë t'i shpëtonte drejtësisë për 23 vite, asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Ai u pikas rastësisht nga nëna e fëmijës së vrarë, e cila e kishte hasur në një fotografi në rrjetet sociale dhe e kishte njohur. Kjo vuri në lëvizje autoritetet shqiptare, të cilët u sinjalizuan se ai jetonte në Quebec.
Në fillim ai ia kishte mbathur drejt Greqisë, duke përdorur dokumente të rreme ai arriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më pas në Kanada. Dhe këtu përdorte një identitet të rremë, Piro Kote. Por u arrestua. Në gjykatë ai kishte deklaruar se nuk e dinte që kishte fëmijë në makinë kur hapi zjarr ndaj oficerit. Ndërsa shton se nuk ka besim tek drejtësia shqiptare.

Si ndodhi vrasja
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 10 gusht të vitit 2000 në Pishë Poro të Fierit. Ëngjëll Brahimi donte të merrte hak për vëllanë e vrarë gjatë një përplasjeje me Policinë dhe kështu thurri planin për eleminimin e Astrit Braçes, oficer policie. Për këtë ruajti ''pikun e vapës'' dhe organizoi atentatin.
Por Astrit Braçe nuk ishte i vetëm në makinë atë 10 gusht. Bashkë me të, në makinë ishte dhe bashkëshortja e tij dhe djali i mitur, vetëm 8 vjeç. Breshëria e plumbave la të vdekur në vend fëmijën. Braçe u largua nga mjeti por u kap buzë një lumi dhe u ekzekutua. Trupi iu gjet një ditë më pas.
''Beteja'' për ta ekstraduar
Ëngjëll Brahimi ishte strehuar në Quebec me emrin Piro Kote, Policia shqiptare kishte marrë indicie që personi në fjalë është vetë Brahimi prandaj kishte nisur një letërporosi drejt Kanadasë ku kërkonte ekstradimin e tij. Vetë avokatët e pranuan se Piro Kote në fakt është Ëngjëll Brahimi vrasësi i Braçes dhe djalit të tij.
Brahimi u arrestua më 26 janar në Montreal por u lirua me kusht nga Gjykata. Prej asaj dite ai vijon betejen për t'u mos u ekstraduar ndërsa autoritetet duan "kokën e tij"./Zëri.ai