
ATHINË – Policia greke ka zbardhur një plagosje mes shqiptarësh, ndodhur përpara 5 muajsh në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Jorgo Zeneli, që njihej edhe me emrin Rafaelo Tona me origjinë nga Korça u plagos më 27 gusht 2023 në lagjen “Ampelokipo”. Nga të shtënat me armë zjarri në atë ditë, u plagos edhe një greke 20-vjeçare.
Zeneli mori një plagë në pjesën e shpatullës, ndërsa grekje mori një plagë në kofshën e djathtë. E reja greke u plagos rastësisht. Pas 5 muajsh hetime, policia helene ka arrestuar shqiptarin Arbi Shkurtaj, 35 vjeç, si autor të dyshuar të ngjarjes. Policia e vendit fqinj shprehet se Shkurtaj ndodhej së bashku me Zenelin, në një park të zonës, ku kanë debatuar me një tjetër person, për shkak të mosmarrëveshjeve ekonomike me shokun e tij.
35-vjeçari ka nxjerrë një armë zjarri, duke qëlluar dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shoku i tij, Jorgo Zeneli dhe një greke 20-vjeçare. Ajo ishte një kalimtare e rastësishme. Arbi Shkurtaj kishte si qëllim që të qëllonte Eraldi Curën, 30 vjeç, por ka plagosur Jorgo Zenelin.
Pasi ka identifikuar autorin, policia në Greqi nisi punën për kapjen e tij. Gjatë kontrollit të makinës, i është gjetur një mjet metalik (përforcues grushti) dhe 2.2 gram marijuanë. Në banesën e tij, ku qëndronte së bashku me një shqiptar 30 vjeç, i quajtur Dorian Shkurtaj, u gjetën dhe u sekuestruan 40 kg marijuanë, si dhe mbi 13 mijë euro. Në pranga ra edhe miku i tij, Dorian Shkurtaj.
Policia e vendit fqinj shprehet se dy të arrestuarit janë me precedentë të shumtë penalë. Edhe Jorgo Zeneli rezulton me precedent, si pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me trafik droge dhe ishte në masën “detyrim paraqitje”, kur është plagosur. Zeneli më parë është deportuar dy herë nga policia greke.
Edhe i arrestuari Arbi Shkurtaj rezulton me precedent për ‘përdhunim’, “kanosje”, “plagosje e lehtë”, “kundërshtim i forcave të policisë”, “hyrje e paligjshme në Greqi”, “armëmbajtje pa leje”, “shkelje të ligjit mbi drogat”. Aktualisht në masën “detyrim paraqitje dy herë në muaj”./ZËRI/