Aktualitet

Zef Deda përcillet me duartrokitje, Julit: T'ia ruajmë emrin e mirë

Julian Deda ka kërkuar që i ati të përcillet për në banesën e fundit me duartrokitje, njësoj siç shpërblehej sa herë që ngjitej në skenë

E.K
Zef Deda përcillet me duartrokitje, Julit: T'ia ruajmë emrin e
Familja e Zef Dedes

SHKODËR- Është përcjellë për në banesën e fundit aktori i madh i humorit shkodran Zef Deda. Kanë qenë të shumtë, miqtë, të afërmit dhe dashamirësit që kanë kryer homazhe në Teatrin Migjeni, ku dhimbja për ndarjen e tij nga jeta ka qenë e madhe.

Aktori i humorit, Julian Deda ka mbajtur një fjalim prekës kushtuar Zef Dedës, për të cilin tha se ka qenë një baba dhe një familjar i jashtëzakonshëm. Ai iu kërkoi të pranishmëve që lamtumira e fundit për të atin e tij të ishte përmes duartrokitjeve, njësoj si ato që mori për vite me radhë kur ishte pjesë e skenës.

“Ju falënderoj shumë. Kam dëshirë që të falënderoj Zef Dedën për atë që ishte. Babai i jashtëzakonshëm, burrë i jashtëzakonshëm, gjysh i jashtëzakonshëm, artist i madh. Nuk e di se sa duhet të mundohemi të ruajmë emrin e mirë që ka dalë prej Zefit.

Shpresoj t’ia dalim, me ndihmën edhe të babait nga lart. Me punën e tij, me moralin e tij dhe me mënyrën se si është sjellë në jetë, na e ka bërë jetën edhe më të lehtë. E falënderoj nga zemra. Sot nuk di s’i t’i rreshtoj fjalët. Dua t’ju falënderoj dhe kolegët e babës.

Jeni një brez që i keni ruajtur marrëdhëniet njerëzore. Jeni shembull për ne. Falënderoj nga zemra dhe publikun e tij. Sot meqë është hera e fundit që është në teatrin Migjeni, dua t’i dhurojmë një duartrokitje të fortë”, e mbylli fjalën e tij Julian Deda.

Zef Deda ishte një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950, ndërsa u shkollua në qytetin e tij të lindjes, dhe në Politeknikumin e Ndërtimit në Tiranë. Deda filloi shkollën e lartë për Gjuhë-Letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Aktori ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB