TIRANË- Prokurori i posaçëm i SPAK, Adnan Xholi, është kandidati i parë që ka shprehur interes për garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Mësohet se Xholi ka dorëzuar aplikimin e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), duke shprehur zyrtarisht gatishmërinë për të marrë pjesë në procedurën e përzgjedhjes së drejtuesit të ri të organit të akuzës.
Adnan Xholi është prokuror i posaçëm në SPAK dhe më herët ka mbajtur detyrën e drejtuesit të Seksionit Kundër Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka kandiduar edhe më parë dy herë për postin e kreut të SPAK-ut, ndërsa tashmë synon drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
KLP hapi procedurën për përzgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm përmes një thirrjeje publike, pasi mandati 7-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti.
Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e Prokurorit të Përgjithshëm përfundon më 1 gusht, në orën 00:00. Deri atëherë pritet të paraqiten edhe kandidatë të tjerë. Më pas, deri më 14 gusht, KLP do të verifikojë nëse kandidatët plotësojnë kushtet ligjore. Sipas ligjit, KLP i propozon Kuvendit tre kandidatë, ndërsa Prokurori i ri i Përgjithshëm zgjidhet nga Parlamenti për një mandat 7-vjeçar./ZËRI
