
TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor Ilirjan Celibashi deklaroi se do t’i kërkohet qeverisë të zgjasë vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit për diasporën. Ai tha se duhet të zgjatet vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit në mënyrë që të votojnë emigrantët e diasporës.
“600.248 shtetas që u skadon pasaporta deri më 15 maj 2025. 209.931 shtetas që u skadon edhe letërnjoftimi edhe pasaporta deri më 15 maj. 160.213 shtetas, jo domosdoshmërisht votues që nuk kanë disponuar asnjëherë një dokument identifikimi. Nuk kanë aplikuar asnjëherë.
Vlerësoj që është e përligjur t’i kërkojmë Këshillit të Ministrave të zgjasë nëpërmjet aktit normativ zgjatjen e vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit të paktën për shtetasit që votojnë nga jashtë territorit të Shqipërisë”, tha ai.
Në Platformën Elektronike të Regjistrimit janë regjistruar emigrantë nga 28 vende në botë. Për t'u regjistruar duhet të futeni në faqen e KQZ-së dhe të klikojnë në seksionin “votues nga jashtë”. Pasi të klikojnë duhet që të vazhdojnë me procedurat dhe kërkesat e Komisionit të Zgjedhjeve. Pasi aplikimi të ketë përfunduar, brenda 5 ditëve, KQZ u kthen përgjigje brenda 5 ditëve duke njoftuar nëse aplikimi i tyre është pranuar, ose jo. Nëse aplikimi është i suksesshëm, KQZ do t'u dërgojë emigrantëve fletën e votimit me postë. Pasi vullneti të jetë nënshkruar në letër, fleta e votimit do të kthehet sërish me postë në Shqipëri për t'u numëruar më 11 maj./ZËRI