
TIRANË- Historia e klanit Poja, çelësi i ‘suksesit’, profili u ulët!
Ishte viti 2020 kur fytyra e Xhevdet Troplinit u prezantua për herë të parë me publikun. Familja e tij njihet që në fillimet e viteve 2000 për nisjen e investimeve në biznese dhe deri në vitin 2020 nuk ishte lakuar në publikpër probleme me ligjin. Si Xhevdet Troplini ashtu edhe djali i tij Fatmir Troplini bashkë me nipin, Elvis Doçin kanë ndjerë një taktikë krejt të ndryshme nga grupet e tjera.
Të punonin në heshtje, pa bujën e madhe që të fortët priren ta tregojnë në publik. Buja e tyre ishin bizneset e hapura në Durrës dhe jo vetëm, madje dhe ato njiheshin nga vendasit.
Për herë të parë, Xhevdet Troplini u arrestua kur ishte 40 vjeç, në vitin 2006 dhe dosja ka ardhur nga drejtësia italiane. Por, sërish pa bujë, i njohuri si Poja, kreu dënimin e tij dhe doli nga burgu.
Siç duket, drejtësia italiane nuk është një ogur i mirë për këtë familje, pasi 19 vite më vonë, një tjetër dosje me përgjime mbërriti në SPAK.
Dumani zbërtheu rrjetin Poja, identifikoi çdo anëtar dhe rolet e tyre
Gjithçka nisi me një rrëfim nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani. Ai u përball me një foto ku shiheshin anëtarët e familjes Troplini dhe nisi t’i identifikonte ata një nga një, si dhe të fliste për rolet e gjithsecilit.
Nuredin Dumani e konsideronte një grup kriminel brutal, ndër më të fuqishmit që vepronin në Shqipëri, hegjemonik prej disa vitesh në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, i aftë të vepronte jashtë vendit në sajë të degëve të forta në Itali dhe Gjermani dhe kontakteve në Amerikën e Jugut.
Kaq iu desh prokurorit të Barit, Ettore Cardinali që të bënte lidhjet me një sërë përgjimesh që kishte në duar. Përgjimet e bisedave në aplikacionin SKYECC datonin që nga viti 2019, por mungonte ‘ura lidhëse’, një person që bënte lidhjen mes pseudonimeve dhe fytyrave, e pikërisht nga këtu e mori emrin dhe operacioni “Ura”.
Një operacion që zbërtheu tre grupe kriminale që bashkëpunonin mjaft mirë me njëri-tjetrin. Një prej tyre drejtohej nga Elvis Doçi i njohur ndryshe si Visi i Pojës, ndërsa dy të tjerët nga Adi Çoba dhe Erigels Presi.
Në mesin e tyre ishin edhe dy ish-efektivë policie, Altin Morina dhe Orges Molla, persona mjaft kyçë në këtë histori. Morina madje kontaktonte shumë shpesh me Ekil Ndërjakun, me të cilin bënte biseda për trafik të lëndëve narkotike si dhe për ‘ndere’ të ndryshme që mund t’i duheshin grupit dhe që ai mund t’i ndihmonte përmes aksesit në Policinë e Shtetit. Një prej rasteve që mund të përmendim është edhe momenti i arrestimit të Edmond Koçi, të njohur ndryshe si Mond Çekiçi. Ndërjaku i kërkoi Morinës që të ndërhynte në një raport për t’i prishur gjilpërën pistoletës që i ishte sekuestruar Koçit.
Në dosjen prej më shumë se 1300 faqesh shpjegohet mjaft mirë roli i çdo anëtari të grupit të “Visit të Pojës” dhe bashkëpunimi me dy klanet e tjera. Qëllimi ishte trafikimi i lëndëve narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Evropës.
Bashkëpunëtor mjaft të ngushtë në gjetjen dhe eksportimin e ngarkesave me drogë nga Amerika Latine, Doçi kishte dhe të afërmin e tij Indrit Tafilin. Droga kishte të stampuara kodet Paris, Audi dhe Leon. Me shumë gjasa, kode që i përkasin pritësve të lëndës narkotike.
Ndërsa për shitjen e heroinës në Itali, futej në lojë Adi Çoba.
I penduari Italian që zbuloi bashkëpunëtorët e Visit të Pojës
Nuredin Dumani nuk ishte i vetmi i penduar i drejtësisë që ka folur përballë autoriteteve. Një tjetër është edhe Domenico Melillo, ish-anëtar i mafias pugliese, i cili ka zbërthyer bashkëpunimin e Çobës dhe të Erigels Presi përpara drejtësisë italiane.
Erigels Presi siguronte sasinë e heroinës që do të trafikohej nga Shqipëria drejt Italisë dhe më pas, pas shitjes, mblidhte paratë. Ai punonte në bashkëpunim me dajën e tij dhe Gerti Aliun dhe furnizimin e merrte nga grupe të drejtuara nga Redi Tusha, Orges Molla dhe Pirro Capi. Heroina vinte kryesisht nga Turqia dhe më pas nga Shqipëria dërgohej në Itali përmes Portit të Durrësit.
Në mbledhjen e parave futej në lojë një tjetër person, Ogert Shqevi, i cili më pas përmes Erind Laskut bënte të mundur që këto para të transferoheshin në Shqipëri.
Paratë në Shqipëri silleshin përmes linjave të autobusëve që bëjnë udhëtime ndërkombëtare. Hetuesit kanë zbuluar se në të paktën 32 episode të zbardhura, shoferët kanë sjellë dhe rreth 3 milionë euro cash në Shqipëri. Sigurisht që ky ishte një shërbim që bëhej në këmbim të një përqindjeje, në varësi të shumës së parave që transportonin. Një prej pronarëve të një prej agjencive është vënë në pranga. Bëhet fjalë për Ligor Çombashin, pronar i agjencisë së udhëtimit “Ligori Travel”.
Faza e fundit ishte pastrimi i këtyre parave, gjë që bëhej përmes bizneseve.
Bizneset e klanit Poja, nga bare, kompani ndërtimi dhe jo vetëm, si ndaheshin në aksione
Familja Troplini ka në pronësi një sërë biznesesh. Xhevet Troplini rezulton se është ortak në kompaninë “Ovvital”, që merret me rritjen e shpendëve për prodhim vezësh dhe mishi si dhe është aksioner në një shoqëri të quajtur “EUROMAG”, ku bëjnë pjesë dhjetëra persona të tjerë. Mes tyre spikat edhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me 30% të aksioneve, në kohën kur ende nuk ka qenë shkrirë ky insitucion.
Ndërsa Elvis Doçi administron një kompani ndërtimi me adresë në Rrashbull të Durrësit me emrin “Cara na”, një bar-kafe me emrin “Port Side” në Durrës, të cilën e ka në bashkëpronësi me një tjetër person të identifikuar si Bukurije Doçi, një bar kafe në Fushë Krujë, dhe bar “Vintage” me adresë në Sukth në bashkëpronësi me një person të quajtur Edmir Bakalli. Bledin Doçi, i afërm i tyre ka në pronësi një kafe me emrin “Port Side Beach”, me vendodhje pranë Currilave në Durrës, në zonën e plazhit.
Doçi madje kishte marrë edhe leje për ndërtimin e një hoteli nga Bashkia e Durrësit.
Xhevdet Troplini ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, kohë kur iu sekuestrua dhe një mjet i blinduar.
Elvis Doçi në fakt, në pasazhet e zbardhura në dosje duket se kishte dëshirë që ta zgjeronte aktivitetin e tij edhe në vende të tjera të Amerikës Latine, si Peru apo Guatemala, madje kishte menduar një skenar, trafikimin përmes diplomatëve.
Por SPAK thotë se ka arritur të provojë se ky plan ka dështuar dhe nuk është finalizuar.
Edhe pas gjithë këtij aksioni mes Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve italiane, në fakt, familja Troplini është e paprekur. Ndaj Xhevdet Troplinit nuk është ndërmarrë asnjë masë, ndërsa Elvis Doçi është shpallur në kërkim.
Në total janë lëshuar 52 masa sigurie si dhe u sekuestruan një sërë biznesesh, si “Marquess” në pronësi të Ervin Beqirit, “Port Side” në pronësi të Elvis Doçit i njohur ndryshe si Visi i Pojës, “Felix Vinum” i Adi Çobës, “Majestic Konstruksion” i Juxhin Drazhit, "Dubai Inn" i Nexhmedin Danajt, "Vlora Cable" gjithashtu në pronësi të Nexhmedin Danajt, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash në pronësi të Olgert Shqevit./ZËRI/