KAKAVIJË- Pika kufitare e Kakavijës ka regjistruar pritje të gjata në të dyja anët e kufirit, pasi pala greke ka ndërprerë përkohësisht punën këtë enjte. Bëhet me dije se shkak për këtë u bë një zjarr që ka rënë në pjesën greke të Kakavijës. Edhe pse zjarri ka rënë larg doganës greke, policët e vendit fqinj kanë zbatuar protokollin e emergjencave të zjarreve për shkak të tymit që është çliruar në atë zonë.
Mësohet se në territorin grek, procesi i kalim-përpunimit të pasaportave në hyrje-falje është ndërprerë përkohësisht. Kjo situatë ka krijuar problematika me qarkullimin, teksa ka shkaktuar radhë të gjata kilometrike në të dyja anët e kufirit.
Ndërkohë, situata me zjarrin duket se është vënë nën kontroll pas angazhimit të menjëhershëm të forcave zjarrfikëse greke, si dhe ndërhyrjes nga ajri me helikopter./ZËRI