Aktualitet

Zjarret në Shqipëri/ Ministria e Mbrojtjes: Vatrat aktive janë nën kontroll

Sipas të dhënave të ministrisë, vatra aktive janë evidentuar në zonën e Dajtit në Tiranë, Priskë e Madhe, Abazë të Krujës, Mallakastër dhe Vilëz të Kurbinit.

M.K.
Zjarret në Shqipëri/ Ministria e Mbrojtjes: Vatrat aktive janë
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend, duke raportuar se vatrat aktive po mbahen nën kontroll dhe aktualisht nuk paraqesin rrezik.

Sipas të dhënave të ministrisë, vatra aktive janë evidentuar në zonën e Dajtit në Tiranë, Priskë e Madhe, Abazë të Krujës, Mallakastër dhe Vilëz të Kurbinit.

Në Vilëz është ndërhyrë edhe nga ajri, pasi zjarri, i favorizuar nga era, kishte rrezikuar kishën, varrezat dhe disa banesa pranë zonës. Ministria bën me dije se situata tashmë është nën kontroll.

Në terren vijojnë të jenë të angazhuara 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse dhe 4 helikopterë, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjitha zonat ku janë evidentuar vatra zjarri.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Në operacionet për menaxhimin e vatrave të zjarrit në vend rezultojnë të angazhuara të paktën 227 forca operacionale dhe 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse, ndërsa janë raportuar edhe 4 angazhime ajrore: 3 helikopterë, 1 avion Air Tractor.

Në qarkun Tiranë, në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri, ku po vijon ndërhyrja dhe monitorimi. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh, Kavajë, vatra ka rënë ndjeshëm në intensitet dhe po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së MZSH-së dhe mbështetjes ajrore të FA-së.

Në Priskë të Madhe vijon puna për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Në qarkun Fier, në zonën Panahor–Ndrenie–Vlosht, Mallakastër, zjarri është aktualisht nën kontroll. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Vatra në zonën Koilac–Greshicë është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Abaze, Krujë, situata është stabilizuar dhe kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla në terren të vështirë. Në terren vijojnë të punojnë strukturat e Emergjencave Civile, Bashkisë Krujë, MZSH-së, shërbimit pyjor dhe Prefekturës së Qarkut Durrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Vilëz, Kurbin, ku zjarri u riaktivizua në një sipërfaqe pyjore dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe erës rrezikonte kishën, varrezat dhe disa banesa, janë angazhuar rreth 50 forca nga MZSH, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarët. Ndërhyrja nga ajri me 2 helikopterë ka ndërprerë avancimin e zjarrit, duke shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth. Vatra vijon të jetë aktive dhe po mbahet nën ndërhyrje.

Strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile vijojnë pa ndërprerje operacionet në terren dhe nga ajri për izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive./ZËRI

Poll

MOS HUMB