
DHËRMI-Dy vatra zjarri janë përhapur mesditën e sotme në qarkun e Vlorës, një në Dhërmi në kodrën e Gjilekës e tjetra poshtë Qafës së Llogarasë. Sipas policisë, zjarri në Dhërmi në lagjen Kondraq u përhap për shkak të një shkëndije elektrike, si pasojë e tensionit të lartë dhe po digjet një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi.
Njoftimi i policisë:
Sot, në lagjen “Kondraq”, Dhërmi, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në këtë lagje, ka rënë zjarr dhe po digjet një sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe shkurre. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje qytetarëve ta shmangin kalimin në rrugën e qafës së Llogorasë, për shkak të zjarrit që ka përfshirë zonën.
Njoftim për qytetarët
Për shkak të situatës së krijuar nga zjarri i rënë në qafën e Llogarasë, në një sipërfaqe me shkurre e barishte dhe që ka shkaktuar tym, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin në këtë rrugë. Forcat zjarrfikëse dhe të emergjencave janë duke punuar për të vënë në kontroll situatën. U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit dhe emergjencave civile për lëvizjen e tyre, në mënyrë që të lejohen mjetet dhe efektivët të punojnë për shuarjen e zjarrit.
Zjarri është shuar, edhe pse jo plotësisht, nga zjarrfikësit si dhe me ndihmën e helikopterit Cougar, që bëri të mundur hedhjen e ujit nga ajri. Për shkak të erës, zjarri rrezikonte 30 banesa në zonën e Gjilekës. Por fatmirësisht, vatra u shua në kohë me ndihmën e helikopterit Cougar. /ZËRI