TEPELENË- Situata nga zjarret në Tepelenë është përkeqësuar ndjeshëm, veçanërisht në zonën e Leklit, ku flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe kanë nxjerrë në pah rreziqe të papritura. Gjatë përhapjes së zjarrit, janë regjistruar dy shpërthime të fuqishme, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga bomba të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.
Flakët kanë përfshirë disa banesa, tre stane dhe disa hektarë pyje, duke lënë pas një panoramë shkatërrimi. Banorët raportojnë se zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të vështirë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen efektive nga toka.
Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile ndodhen në terren, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e ndërhyrjes nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve. Në zonë mbetet i lartë rreziku për banesat e tjera, ndërkohë që banorët janë evakuuar nga pikat më të rrezikuara. Policia e Shtetit ka bërë thirrje për evakuiim total të dy fshatrave, Lekël dhe Hormovë.
Ekspertët e xhenios pritet të verifikojnë terrenin për praninë e municioneve të tjera të pashpërthyera, duke qenë se zjarri mund të aktivizojë pajisje të rrezikshme të mbetura nëntokë që prej luftës. Situata vijon të jetë kritike./ZËRI