Aktualitet

"Ana tjetër e TETORIT"! Muaji i tritolit: shpërthime, 'mesazhe' dhe një viktimë

Një atentat për ‘hesape’ droge, i cili u mbyll me një viktimë dhe një të plagosur; kërcënim për 50 mijë euro; shënjestër avokatë, ekspertë të Kriminalistikës, administratorë dhe lëndë eksplozive të vendosura në lokale, biznese dhe banesa… ZËRI sjell skedën e dhjetëra ngjarjeve të ndodhura në vend gjatë muajit tetor 2026

F.I

"Ana tjetër e TETORIT"! Muaji i tritolit: shpërthime,

Beqir Devolli (në sfond pamjet nga ngjarjet e tjera)

TIRANË- Tetori i protestës së studentëve! Kështu do të cilësohej muaji që lamë pas me të rinj të revoltuar, biznese të shkatërruara, zjarr e thirrje nëpër rrugë, shkatërrime në institucione, zjarr në kioska, përplasje me Policinë dhe një ftesë për dialog nga ana e kryeministrit Edi Rama, e cila deri më sot është refuzuar. Por, mes valës së protestave, panorama e anës tjetër të muajit tetor i përket ‘TRITOLIT’.

Nga veriu në jug, pothuajse çdo ditë të muajit tetor, raportimet për shpërthime me lëndë eksplozive në biznese, automjete apo banesa, në orët e vona të mbrëmjes, kanë mbuluar kronikën e zezë në Shqipëri. Një atentat për ‘hesape’ droge, i cili u mbyll me një viktimë dhe një të plagosur; kërcënim për 50 mijë euro; shënjestër avokatë, ekspertë të Kriminalistikës, administratorë dhe lëndë eksplozive të vendosura në lokale, biznese dhe banesa… ZËRI sjell skedën e dhjetëra ngjarjeve të ndodhura në vend gjatë muajit tetor 2026, nga të cilat vetëm dy prej tyre kanë marrë zgjidhje hetimore.

Rasti i parë që startoi ‘zinxhirin’ e ngjarjeve ishte ai në Peshkopi më 2 tetor, ku pronari i një biznesi karburanti, Zija Shulku, u kërcënua se do t’i hidhej në erë subjekti nëse nuk paguante shumën prej 50 milionë lekësh. Autori, Engjëll Karoshi, vendosi në ambientet e karburantit një kuti pice, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, për ta paraqitur si një pajisje shpërthyese të telekomanduar.

I dyti ishte ai i 7 tetorit në Elbasan, ku një sasi tritoli shpërtheu në derën e jashtme të banesës së shtetasit Shefki Frakulli. U ngritën dyshime se ngjarja lidhej me aktivitetin e djemve të familjes në emigracion, por hetimet vijojnë dhe nuk ka pasur asgjë konkrete nga pistat apo autorët.

Dy ditë më vonë, më 9 tetor, një shpërthim me lëndë eksplozive u regjistrua në Kamëz. Shënjestra ishte Mariglen Lala, i cili rezulton të jetë dënuar më herët për një sërë veprash penale, mes tyre vjedhje, plagosje dhe mashtrim. Mesazh paralajmërues apo hesape të pambyllura, rasti mbetet nën hetim.

Rasti i katërt ishte edhe ai fatal, me një viktimë dhe një të plagosur. Mbrëmjen e 10 tetorit, një atentat me tritol në Gjirokastër i mori jetën Beqir Devollit dhe la të plagosur Erigels Melën. Tritoli ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit në automjetin tip Mercedes-Benz, me të cilin udhëtonin Devolli dhe Mela. Atentati u zbardh një javë pas ngjarjes, ku shkak dyshohet të ketë qenë prishja e pazareve të drogës në vendet europiane. Në pranga kanë rënë Behar Zyberi nga Fieri dhe Shpëtim Malasi nga Patosi. Ndërkohë, Gentjan Zhupa dhe Kliton Omeri janë shpallur në kërkim.

Më 13 tetor, një sasi tritoli shpërtheu në derën e biznesit në pronësi të Agim Kananajt në Fier. Megjithatë, 13 tetori nuk u mbyll me një rast. Nga Tirana u raportua se një sasi lënde eksplozive shpërtheu në automjetin në pronësi të bashkëshortes së avokatit Idajet Beqiri.

Efektivi i Kriminalistikës në Shkodër, Ardian Beçina, ishte shënjestra e radhës më 15 tetor. Tritoli shpërtheu në banesën e punonjësit të Policisë.

Më 19 tetor, një sasi tritoli shpërtheu në makinën e administratorit të Shushicës, Igli Bimaj. Lidhur me ngjarjen u arrestuan Shkëlqim Malaj dhe Ervin Skorovoti, por shkaku ende nuk dihet.

Një shpërthim me lëndë eksplozive u regjistrua më 20 tetor në Ishull-Lezhë, në një magazinë që përdorej për mbajtjen e materialeve shtëpiake.

Më 28 tetor, një sasi tritoli shpërtheu në oborrin e banesës së shtetasit Sokol Ndreu, ku si pasojë e shpërthimit u dëmtuan dy automjete të parkuara.

Një ditë më vonë, më 29 tetor, një sasi lënde plasëse e pashpërthyer u konstatua në rrugën “Berisha” në Kamëz, pranë derës së një lokali në pronësi të shtetasit Klevis Hyka.

Teksa tetori u mbyll me një bilanc shqetësues shpërthimesh dhe një sërë ngjarjesh pa autorësi, nëntori ka nisur me të njëjtin skenar, ku sot u raportua për një shpërthim në tarracën e një dyqani lulesh në Tiranë./ZËRI

MOS HUMB