VLORË- Katër persona janë shoqëruar, ndërsa dy prej tyre janë arrestuar lidhur me shpërthimin me tritol në makinën e administratorit të Shushicës në Vlorë, Igli Bimaj. Pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë, Policia e Vlorës ka zhvilluar një aksion për zbardhjen e rrethanave të vendosjes së lëndës plasëse në automjetin e zyrtarit.
Sipas burimeve pranë policisë, të ndaluarit dhe të arrestuarit dyshohet se janë nga Tirana dhe secili prej tyre ka pasur role të ndryshme në ngjarje. Dyshohet se njëri prej tyre ka vendosur lëndën plasësë në automjet, ndërsa një tjetër dyshohet se ka ndihmuar autorët të largohen me makinë nga vendngjarje. Mes personave të dyshuar për përfshirje në ngjarje janë dy personat e identifikuar si Shkëlqim Malaj dhe Ervin Skorovoti, ndërkohë që roli i tyre mbetet i paqartë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, mësohet se policia ka bllokuar edhe një automjet, i cili mund të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe përfshirjen dhe rolin e personave të dyshuar në ngjarje.
Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së hënës, 19 tetor, në fshatin Llakatund të Vlorës. Lënda eksploziv ka shpërthyer në automjetin e administratorit të njësisë administrative Shushicë, Igli Bimaj. Mjeti ndodhej i parkuar afër banesës së Bimajt, ku fatmirësisht pati vetëm dëme materiale./ZËRI
