KOSOVË- Sot, 4 mars, është afati i fundit që Kuvendi i Kosovës duhet të zgjedhë Presidentin e ri. Pas disa takimeve ndërpartiake pa rezultat, orët e fundit konsiderohen vendimtare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Sipas afatit kushtetues, të mërkurën në mesnatë përfundon afati kur duhet të zgjidhet presidenti i ri.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill 2026 dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që do të thotë deri më 4 mars 2026.
Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojitet një shumicë prej tetëdhjetë votash në Kuvend. Nëse një gjë e tillë nuk arrihet, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me 61 vota. Në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje, që e kishte propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. E para e shtetit të Kosovës ka thesuar se edhe nëse nuk zgjidhet presidente, do të vazhdojë angazhimin politik. Megjithatë, do të jetë Parlamenti i ri ai që do të vendosë./ZËRI