ITALI- Një operacion i gjerë i antimafias italiane ka goditur një rrjet të strukturuar shqiptar të trafikut të kokainës që vepronte në zonën e L’Aquila-s dhe komunat përreth në Itali. Sipas mediave italiane, operacioni i koduar “Consegna della Cocaina” u zhvillua në orët e para të mëngjesit me urdhër të Prokurorisë Antimafia të Distriktit të L’Aquila-s.
Gjatë ndërhyrjes, karabinierët ekzekutuan 25 masa sigurie personale dhe 11 urdhra për ndalim qëndrimi. Ndërkohë, rreth 40 persona janë vënë nën hetim, shumica dërrmuese shtetas shqiptarë, të dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge dhe shpërndarje të kokainës.
Hetimet tregojnë se rrjeti funksiononte me një skemë të mirëorganizuar ku përdoreshin kryesisht të rinj shqiptarë rreth moshës 20 vjeç, pa histori kriminale.
Si funksiononte grupi?
Ata hynin në Itali me viza turistike dhe më pas, pasi mbërrinin në Romë, dërgoheshin drejt L’Aquila-s. Aty u siguroheshin banesa me qira, automjete, telefona dhe karta SIM të ndryshme për të shmangur gjurmimin. Sipas hetuesve, struktura ishte ndërtuar në mënyrë që anëtarët e rrjetit të mbeteshin sa më pak të identifikueshëm.
Po ashtu, secili prej tyre mbante vetëm sasi të vogla kokaine me vete, për të reduktuar rrezikun në rast kontrolli policor, ndërsa pjesa tjetër e lëndës narkotike fshihej në zona të pyllëzuara, periferike ose rurale rreth qytetit.
Sipas Prokurorisë Antimafia, pas aktivitetit në Itali qëndronte një strukturë operative në Shqipëri, e cila koordinonte rekrutimin e të rinjve, furnizimin me drogë dhe zëvendësimin e menjëhershëm të trafikantëve të arrestuar apo të identifikuar nga policia.
Sipas autoriteteve, zgjedhja e personave pa precendetë penalë ishte pjesë e strategjisë së organizatës kriminale, në mënyrë që në çdo rast të konsiderohej si trafik i vogël droge. Megjithatë, hetimet zbuluan një sistem të mirëorganizuar.
Gjatë hetimit, karabinierët realizuan 16 arrestime dhe sekuestruan rreth 1 kilogram kokainë. Gjithashtu janë dokumentuar të paktën 3,200 doza të shitura, me një xhiro të vlerësuar rreth 125 mijë euro.
Operacioni u mbështet nga njësi speciale të Karabinierëve, helikopterë, qen antidrogë dhe ekipe ndërhyrjeje operative. Hetuesit dyshojnë se grupet kishin lidhje edhe me rajone të tjera italiane, përfshirë Toskanën dhe Venetën.