
ANKARA- Turqia u trondit nga skandali "Neëborn Gang"! Bëhet fjalë për një grup mjekësh dhe infermieresh që i linin foshnjat e porsalindura që të vdisnin. Banda deri më tani mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 12 foshnjave, ndërsa 22 persona janë marrë të dyshuar dhe po hetohen.
Në aktakuzën e përgatitur, bisedat që kanë bërë anëtarët e bandës me njëri-tjetrin, kanë nxjerrë në pah gjithë skemën e tyre. Por edhe mënyrën sesi e kishin përballuar kontrollin që u ishte bërë nga Institucioni i Sigurimeve Shoqërore. Në një bisedë infermierja Hatice Ceren flet me me İlker Gönen, një nga drejtuesit e organizatës, që është gjithashtu nën hetim. Ajo e informon për kontrollin e bërë.
"Ata erdhën për inspektim. Na shkatërruan sepse na kanë ekzaminuar në detaje. Ata numëruan pacientët dhe unë arrita të dërgoja 112 në katin e poshtëm në dhomën e foshnjave. I lëviza në minutën e fundit,"-shkruan ajo, duke pranuar tek "shefi" i saj se në dhomë kishte më shumë foshnja sesa kapaciteti i terapisë intensive. Kështu që për të fshehur këtë fakt, ajo vuri në rrezik shëndetin e tyre dhe foshnjat që duhet të mbaheshin në terapi intensive, i dërgoi në një dhomë normale.
Më tej, vazhdon edhe i tregon Gönen se kontrolli i bërë kishte zbuluar gjithçka.
"Ata zbuluan të gjitha biznesin tonë, korrupsionin dhe parregullsitë. Kanë bërë një punë shumë të thellë, goditën shumë saktë... Tani vetëm shpresoj që fundi im të jetë i mirë."
Nga ana tjetër, konstatimet e prokurorisë përfshinin gjithashtu se infermierja manipulonte edhe tek ilaçet që u jepte pacientë të porsalindur; pra u jepte ilaçe të tjera ndryshe nga ato që shkruante në recetë. Hasan Basri Gök, i cili përfshihet gjithashtu në dosje, deklaroi se infermierja në fjalë bënte edhe manipulimin e epikrizës (analizë kritike e një sëmundjeje pas përfundimit të saj).
Pra, qëllimi kryesor i grupit nuk ishte shërimi i foshnjave, por kishin për qëllim fitimet financiare pasi foshnjave u bënin trajnime të shtrenjta, si kujdesi intensiv, duke kërkuar kështu shuma më të mëdha nga Administrata e Sigurimeve Shoqërore. Foshnjat ndërronin jetë sepse i nënshtroheshin trajtimeve të panevojshme dhe të rrezikshme. Fitimet, më pas, ndaheshin mes anëtarëve të bandës, shumë prej të cilëve ishin punonjës të kujdesit shëndetësor. Në shumë raste, infermierët paraqiteshin si mjekë në familjet e foshnjave dhe kryenin trajtime mjekësore pa dijeninë e mjekëve të spitalit, me pasoja fatale për foshnjat. Bisedat telefonike të përgjuara nga autoritetet zbuluan se anëtarët e organizatës e dinin se disa foshnja ishin pranë vdekjes dhe merrnin masa që të mos mbanin përgjegjësi.
Hetimi për bandën nisi në maj. Një dokument zbuloi se foshnjat dërgoheshin në spitale "të zgjedhura" dhe jo në qendrat e duhura shëndetësore që do të ishin të përshtatshme për rikuperimin e tyre. Ndaj, për këtë çështje, prokurori ka kërkuar deri në 582 vite heqje lirie për liderin e organizatës, mjekun Fırat Sarı dhe dy figura të tjera kyçe të grupit kriminal. 18 të dyshuar të tjerë, përfshirë mjekë, infermierë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor, përballen me 10 deri në 437 vjet burg me akuzën e "vrasjes nga pakujdesia nga mosveprim". Por pa nisur hetimet, grupi kishte kërcënuar me vdekje edhe prokurorin që po hetonte rastin, madje i kishin ofruar 100 mijë dollarë një vrasësi me pagesë, por atentati nuk ndodhi kurrë./ZËRI