EKUADOR- Biznesmeni italian Panfilo C, i njohur ndryshe si Benny Colonico, është arrestuar nga policia në Ekuador, ndërsa lajmi u konfirmuar dhe nga ministri i brendshëm John Reimberg. Biznesmeni është i njohur për lidhjet e tij të ngushta me mafien shqiptare, duke i ndihmuar në pastrimin e parave. Colonico u arrestua pas një kontrolli në banesën e tij, ku u gjet një sasi e madhe parash të falsifikuara. Autoritetet e Ekuadorit e konsiderojnë arrestimin e tij si një hap të rëndësishëm për të zbuluar mënyrën se si mafia shqiptare operon në këtë rajon.
Benny Colonico ka një histori të gjatë përfshirjeje në aktivitete kriminale, ndërsa ishte viktimë e një rrëmbimi në Qershor të vitit 2023, në Guajakil, ku u lirua pas ndërhyrjes së policisë, ku mbeti i vrarë dhe një person. Lidhjet e tij me botën e krimit, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës, e bëjnë atë një figurë të dyshimtë për autoritetet.
Në tetor të vitit 2022, biznesmeni u përfol për një lidhje me prezantuesen televizive, Carolina Jaume. Madje më vonë u tha se ai e përndiqte atë. Aso kohe ai u identifikua si një “magnat italian” që kishte mbërritur në Ekuador në mars të 2020 me plane pushimesh, por përfundoi duke investuar gati një milion dollar për hapjen e një zinxhiri restorantesh italiane në Guayaquil. Ndërsa njohja me prezantuesen televizive, siç ka deklaruar vetë ai, ishte për qëllime pune, si pjesë e një fushate promovuese për rrjetin e tij të restoranteve. Ai tha se e admironte dhe e vlerësonte si një person “të përulur dhe të bukur”. Gjithashtu biznesmeni pohoi se marrëdhënia e tyre ishte thjesht një marrëdhënie miqësore dhe biznesi.
Arrestimi i Colonicos është një ngjarje e rëndësishme për autoritetet e Ekuadorit dhe të tjera që merren me luftën ndaj mafias shqiptare, e cila ka arritur të konsolidojë praninë e saj në tregtinë e drogës në Amerikën Latine. Dyshimet për lidhjet e Colonicos me organizatën kriminale shqiptare dhe për përfshirjen e tij në pastrimin e parave, i japin një risi hetimeve të përfshira në këtë fushë, duke shpresuar se do të zbulojnë më shumë detaje mbi rrjetet e trafikimit të kokainës që kalojnë nga Ekuadori drejt Evropës. /ZËRI