IZRAEL- Papa Leo XIV theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vendeve të shenjta në një telefonatë të premten me kryeministrin Benjamin Netanyahu pas sulmit vdekjeprurës të Izraelit në kishën e vetme katolike të Gazës, sipas asaj që bëhet me dije nga Vatikani.
Papa gjithashtu përsëriti thirrjen e tij për negociata, një armëpushim dhe fundin e luftës, ndërsa përsëriti shqetësimin e tij për "situatën dramatike humanitare" në territorin palestinez, thuhet në një deklaratë.
Vatikani tha se Netanyahu e nisi thirrjen telefonike të premten në mëngjes, një ditë pasi zjarri izraelit në Kishën e Familjes së Shenjtë në qytetin e Gazës vrau tre persona dhe provokoi dënim ndërkombëtar.
“Gjatë bisedës, Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen e tij për të ringjallur negociatat dhe për të arritur një armëpushim dhe fundin e luftës”, tha Vatikani në një deklaratë, duke vënë në dukje se Leo ishte në rezidencën e tij verore në Castel Gandolfo, në jug të Romës.
Ai shprehu edhe një herë shqetësimin e tij për situatën dramatike humanitare të popullsisë në Gaza, bilanci i të cilës është pikëllues, veçanërisht për fëmijët , të moshuarit dhe të sëmurët.
Së fundmi, Ati i Shenjtë përsëriti urgjencën e mbrojtjes së vendeve të kultit dhe veçanërisht të besimtarëve dhe të gjithë njerëzve në Palestinë dhe Izrael.
Nga ana tjetër, gjatë bisedës me Papa Leon, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se se Izraeli është afër arritjes së një marrëveshjeje me Hamasin për lirimin e pengjeve. Bëhet me dije se Netanyahu e ftoi Papën për një vizitë zyrtare në Izrael./ZËRI/