
VATIKAN- Trupi i Papa Françeskut do të vendoset sot në Bazilikën e Shën Pjetrit për të bërë homazhe besimtarët. Shifrat e pjesëmarrësve pritet të jenë të mëdha, me mijëra besimtarë që kanë mbërritur tashmë në Vatikan për t’i dhënë lamtumirën Papa Bergoglio-s.
Besimtarët sot, nesër dhe pasnesër do të mund të nderojnë trupin e papës së ndjerë deri në mesnatë, ndërsa të premten do të lejohet prania e besimtarëve katolikë në kishë deri në orën 19.00. Të shtunën, menjëherë pas funeralit, trupi i papës argjentinas do të varroset në kishën e Santa Maria Maggiore, pranë stacionit qendror të trenit të Romës, në përputhje me dëshirën e shprehur nga vetë “papa i të varfërve” në testamentin e tij.
Shën Pjetri ka qenë i rrethuar nga masa të larta sigurie për të përballuar fluksin e madh të besimtarëve dhe mediatikëve që kanë mbërritur për të ndjekur ngjarjen. Kontrollet e sigurisë, përfshirë detektorët e metaleve, janë instaluar në të gjithë zonën për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe për të parandaluar çdo incident. Agjentë elitarë janë vendosur edhe në çatitë e Bazilikës, ndërsa ekipet e gazetarëve të pranishëm janë të shumta, për të transmetuar ngjarjet në të gjitha kanalet ndërkombëtare.
Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 21 prill një ditë pas Pashkëve. Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të zemrës. Për nëntë ditë me radhë do të kremtohen meshë në përkujtim të shpirtit të Françeskut – të ashtuquajturat novendiale./ZËRI