BRUKSEL- Deklaratat e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviç, për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët kanë shkaktuar reagime të forta në Bruksel.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, është shprehur e tronditur ndaj kësaj deklarate, duke e cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themelet është ndërtuar BE-ja dhe pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, u shpreh komisionerja Kos.
Sipas Kos, deklarata të tilla bien ndesh me parimet themelore të Bashkimit Evropian. Ajo u shpreh se dëshiron të besojë që deklaratat e ministres serbe përfaqësojnë një qëndrim personal dhe jo një pozicion zyrtar të qeverisë së Serbisë.
“Këto janë edhe në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministreje dhe nuk paraqesin qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi Marta Kos.
Komisionerja e BE, Marta Kos, i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në Bruksel, pas përfundimit të dy kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi, ku u pyet nga gazetarët lidhur me qëndrimet e Serbisë ndaj procesit të raporteve me Kosovën.
Cila ishte deklarata e ministres serbe?
Gjatë një interviste për median serbe Kurir, ministrja serbe është shprehur se nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe gjatë një nterviste./ZËRI
