HAGË- Ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dëshmuar në Hagë në lidhje me procesin penal që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së tij, ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave, teksa shton se Hashim Thaçi ishte kryekomandant i saj.
“Nuk kishin struktura hierarkike, ishin të organizuar ndryshe, nuk mund të shkonim thjeshtë të bisedonim me zotëri Thaçin, apo me gjeneral Çekun dhe të mendonim se e zgjidhëm problemin. Nuk funksiononte kështu. Duhej flisnim me personat që vërtetë kishin kompetenca, dhe ata ishin komandantët e zonave. Fuqinë reale në strukturën e UÇK-së e kishin komandantët rajonalë dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneral Agim Çekun në fillim të negocimit të marrëveshjes, ai na tha që nuk e bëj dot këtë pa praninë e komandantëve të zonave.", është shprehur Duncan.
Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja. Ai ndër të tjera theksoi se Hashim Thaçi nuk pasqyronte realitetin politik, dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.
“Nuk ishte realiste që zoti Thaçi të njihej si udhëheqësi politik i Kosovës, kishte forca të tjera politike që ekzistonin atje, si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë, ata mund ta kishin zgjedhur atë si udhëheqës të delegacionit në Rambuje por ai nuk kishte atë që quhej legjitimiteti politik në një shoqëri demokratike, nuk ishte zgjedhur nga populli. Të njihej Thaçi si Kryeministër nuk ishte realiste, nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike”, tha ai.
Duncan ka treguar se UÇK-ja përbëhej nga njerëz të zakonshëm, secili me profesionet përkatëse, dhe që kishin marrë armët kur nisi lufta. Bëhet fjalë për civilë, doktorë, avokatë, njerëz që kishin lënë punën dhe kishin marrë armët.
“Ne i quanim atë ushtria e atyre që nuk kishin asgjë, ky ishte termi që kam përdorur në atë kohë dhe kur kam shkuar në teren kam parë njerëz që kishin pasur një jetë normale, ishin civilë, doktorë, avokatë, njerëz që kishin lënë punën dhe kishin marrë armët, aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta dhe kur negocionin me këta njerëz duhet të kuptosh se cili është synimi i tyre, si kanë arritur në këtë pikë, çfarë faktorësh i shtynë deri në atë pikë ku ndodhen, cilat janë aspiratat e tyre dhe interesat e tyre.", tha Duncan.
Në fund të viteve ’90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999. Sipas kryesuesit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.
Paul Williams ishtë dëshmitari i dytë nga rradhët e mbrojtjes së Hashim Thacit në Dhomat e Specializuara në Hagë. Williams ka qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999. Ndërsa James Rubin, ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ishte dëshmitari i parë.
Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim. Këta dëshmitarë synohet të hedhin dritë mbi rolin e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./ZËRI



