Bota

“Drejtësi kundër padrejtësive”/ Krerët e UÇK ende në paraburgim, mijëra qytetarë protestë kundër Gjykatës Speciale

Organizatorët e protestës bënë thirrje për një gjyq të drejtë dhe të paanshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe ish-kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

k.m.
“Drejtësi kundër padrejtësive”/ Krerët e
Foto ilustruese

PRISHTINË- Mijëra qytetarë u mblodhën pasditen e së mërkurës në sheshet kryesore të Prishtinës për të marrë pjesë në protestën gjithëpopullore të titulluar “Drejtësi kundër padrejtësive”. Tubimi u organizua në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Organizatorët e protestës bënë thirrje për një gjyq të drejtë dhe të paanshëm për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, ish-deputetin Rexhep Selimi dhe ish-kreun e Kuvendit, Jakup Krasniqi, të cilët po gjykohen nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Protestojmë për drejtësi të vërtetë, për ata që sakrifikuan për lirinë e këtij vendi,” – ishte një nga mesazhet kryesore që u përçuan nga organizatorët dhe qytetarët e shumtë që morën pjesë në këtë manifestim.

Pjesëmarrësit mbanin flamuj kombëtar, pankarta me mbishkrime si “Liria ka emër”, “Çlirimtarët nuk janë kriminelë” dhe “Gjykata Speciale është e njëanshme”. Në sfond dëgjoheshin këngë patriotike, ndërsa në ekranet e mëdha të vendosura në shesh u shfaqën pamje nga lufta dhe nga jeta e ish-udhëheqësve që aktualisht po gjykohen.

Protesta nisi rreth orës 18:00 dhe vazhdoi pa incidente përreth një orë e gjysmë. Në mesin e qytetarëve kishte edhe përfaqësues të shoqërisë civile, familjarë të dëshmorëve, të burgosurve politikë, veteranë të luftës, si dhe përfaqësues të disa partive politike. Në një adresim për mediat, organizatorët theksuan se qëllimi i protestës nuk ishte të mohohej drejtësia, por të kërkohej një proces i drejtë, i bazuar në fakte dhe jo në narrativa politike që synojnë të njollosin luftën çlirimtare të Kosovës.

Për të garantuar sigurinë gjatë protestës, policia kishte marrë masa shtesë në qendër të Prishtinës. Megjithatë, atmosfera mbeti e qetë dhe protestuesit u shpërndanë pa ndodhur ndonjë incident. Ky tubim shihet si një nga më të mëdhenjtë të organizuar vitet e fundit në Kosovë dhe vjen në një kohë kur procesi gjyqësor në Hagë është ende në fazat dëgjimore, ndërsa pritet të zgjasë me muaj të tërë.

Pse u formua Gjykata Speciale?

Për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit ishte përfolur për një kohë të gjatë para ngritjes së aktakuzës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qysh në vitin 2010, ish-senatori zviceran, Dick Marty, kishte bërë një raport për Këshillin e Evropës, në të cilin kishte dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”. Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, që më 2014 kishte bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, solli në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.Formimi i Gjykatës Speciale kishte ardhur pas presionit nga bashkësia ndërkombëtare, që besonte se vendosja e gjykatës jashtë Kosovës do të siguronte një proces gjyqësor të paanshëm dhe të besueshëm për të trajtuar akuzat e rënda. Një tjetër arsye ishte thënë se ishte mbrojtja e dëshmitarëve. Megjithatë, në këtë gjë janë hasur probleme edhe pse Gjykata është vendosur në Hagë.

Si është pritur Gjykata Speciale në Kosovë?

Më 3 gusht të 2015-tës, Gjykata Speciale mori votat e mjaftueshme për themelim. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputetë të komuniteteve joshumicë dhe disa deputetë nga NISMA-s kishin votuar për të, duke siguruar 82 vota. Për themelim nevojiteshin 80 nga 120 votat në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje – parti që ka qenë në pushtet në mandatin e fundit dhe që fitoi zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt – e kishte kundërshtuar ashpër krijimin e gjykatës, duke e cilësuar atë të padrejtë ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.

Gjykimi ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës. Që nga atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë. Pak para nisjes së gjyqit në Hagë, protesta kundër këtij procesi ishin zhvilluar edhe në Hagë edhe në Prishtinë./ZËRI

Poll

MOS HUMB