BRITANIA E MADHE-BBC raporton se Andrew Mountbatten-Windsor është arrestuar nën dyshimin për shpërdorim detyre. Policia thotë se vëllai i Mbretit Charles është në paraburgim dhe oficerët po kryejnë kontrolle në Berkshire dhe Norfolk. Ngjarja vjen pasi “Thames Valley Police” njoftoi se po shqyrton një ankesë lidhur me pretendimet për shpërndarjen e materialeve konfidenciale nga ish-princi te i ndjeri, i dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Ish-Duka i Jorkut, i cili mbush 66 vjeç sot, aktualisht jeton në Sandringham pasi u dëbua nga Shtëpia Mbretërore në Windsor nga vëllai i tij, Mbreti Charles III, pas akuzave për Epstein.
“Si pjesë e hetimit, sot (19/2) kemi arrestuar një burrë rreth të gjashtëdhjetave nga Norfolk, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës në zyrë, dhe po kryejmë kontrollime në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Burri mbetet në paraburgim policor në këtë moment. Ne nuk do të zbulojmë emrin e të arrestuarit, sipas udhëzimeve kombëtare. Ky rast është aktualisht aktiv, prandaj duhet kujdes me çdo publikim për të shmangur shkeljen e gjykatës”, thuhet në njoftimin e policisë britanike,"- Thames Valley Police, sipas BBC.
Në lidhje me arrestimin një reagim ka ardhur edhe nga vëlllai i tij Mbreti Charles III, i cili ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për hetimin.
Në një deklaratë, monarku tha: "Kam mësuar me shqetësimin më të thellë lajmin për Andrew Mountbatten-Windsor dhe dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Ajo që vijon tani është procesi i plotë, i drejtë dhe i duhur me anë të të cilit kjo çështje hetohet në mënyrën e duhur dhe nga autoritetet përkatëse. Në këtë drejtim, siç e kam thënë edhe më parë, ata kanë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të plotë dhe të përzemërt. Më lejoni të them qartë: ligji duhet të ndjekë rrugën e vet. Ndërsa ky proces vazhdon, nuk do të ishte e drejtë që unë të komentoja më tej për këtë çështje. Ndërkohë, unë dhe familja ime do të vazhdojmë detyrën dhe shërbimin tonë ndaj jush të gjithëve."