Bota

Gjuha shqipe 'ndez' Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, deputetja shqiptare bllokon seancën: Materiali të jetë shqip

Deputetja e Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Ilire Dauti reagoi për shkak të mosrespektimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe kritikoi faktin që materialet e seancës nuk janë në gjuhën shqipe

F.I
Gjuha shqipe 'ndez' Kuvendin e Maqedonisë së Veriut,
pamje nga Kuvendi

MAQEDONIA E VERIUT-Gjuha shqipe ka sjellë tendione dhe debate në seancën e 13-të të Komisionit për Mundësi të Barabarta në Shkup. Deputetja e Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Ilire Dauti reagoi për shkak të mosrespektimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe kritikoi faktin që materialet e seancës nuk janë në gjuhën shqipe, çka e bën atë të ndihet e diskriminuar dhe jo në kushte të barabarta.

“…e nderuar nënkryetare e komisionit, po të lutem në mënyrën shumë korrekte këtu ka rregullore si funksionon, këtu nuk mund ta bësh tënden si të vije qejfi sepse në këtë rast e drejta qëndron te unë. Duhet të mi siguroni fillimisht materialet në gjuhën shqipe e pastaj të vazhdosh me seancë. Në të kundërtën, ja le ta shohin mediumet e qytetarët edhe këto zonja të nderuara këtu si mund të flitet për barazi kur në mënyrë të hapur po bëhet dhunë psikologjike dhe nënçmim ndaj deputetëve shqiptarë. Kjo seancë ka filluar pa zbatimin e Kushtetutës dhe pa zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq këtu diskutohet për strategji, e cila në qendër të vëmendjes dhe fjalët kyçe i ka diskriminimin, dhunën psikologjike, nënçmimin e kështu me radhë…”, tha Dauti duke bllokuar seancën.

Nga ana tjetër nënkryetarja e komisionit Vesna Gjorgjieva i hoqi të drejtën e fjalës, duke iu drejtuar Dautit se kjo e fundit po përpiqet të manipulojë të pranishmit. 

“Nuk dua t’i manipuloni këta njerëz që kanë ardhur këtu në këtë diskutim publik për të arritur në përfundime, që do na ndihmonin shumë të gjithë neve dhe jo të fitojmë vetëm pikë politike…”, tha Gjorgjieva.

Por, deputetja Dauti nuk lëvizi nga foltorja duke thënë se edhe Ministri shqiptar për politikë sociale Fatmir Limani e ka firmosur këtë dokument vetëm në gjuhën maqedonase, madje fajësoi edhe kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin për neglizhencë në  zbatimin e gjuhës shqipe në këtë komision. Më pas, nënkryetarja Gjorgjieva kërkoi pauzë për të printuar materialin në gjuhën shqipe për të jua dorëzuar deputetëve shqiptarë.

Debati mbi përdorimin e gjuhës shqipe është ndezur në Maqedoninë e Veriut pas protestës së studentëve shqiptarë të Jurisprudencës të cilët kërkojnë që të mbajnë provimet e lirimit në gjuhën shqipe. Pak ditë më parë, mijëra prej tyre dolën në një protestë madhështore ku insistuan që përdorimi i gjuhës është një e drejtë që u takon. Shumë syresh fajësuan edhe rolin e partive shqiptare për dobësimin e gjuhës amëtare.

Poll

MOS HUMB