SHBA-Një gjykatë federale në SHBA ka rrëzuar politikën e administratës amerikane për pezullimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, një vendim që prek edhe aplikantë nga Shqipëria.
Gjyqtarja Jeannette Vargas e Manhattanit tha në vendimin e saj në Distriktin Jugor të Nju Jorkut se politika ishte "qartësisht e paligjshme" dhe binte ndesh me ligjin federal të imigracionit, i cili i hoqi në mënyrë të qartë sekretarit të shtetit autoritetin mbi gjykimin e vizave të imigrantëve nga zyrtarët konsullorë.
Administrata amerikane e kishte argumentuar masën me shqetësimin se emigrantët nga vendet e përfshira në listë mund të kishin një rrezik më të lartë për t'u mbështetur në ndihmën publike pasi të vendoseshin në SHBA. Në listë, krahas Shqipërisë, ndodheshin edhe vende të tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Pezullimi, i cili hyri në fuqi në janar të këtij viti, preku aplikantët nga vendet: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguanë, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.