TIRANË- Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit në periudhën e luftës në Kosovë, James Rubin ka dëshmuar këtë të hënë në rastin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Rubin është dëshmitari i parë i ftuar nga Hashim Thaçi, nga 11 dëshmitarë që do të jenë gjithsej. Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ai tha se nuk kanë gjetur asnjë provë se katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e as drejtues të tjerë të ushtrisë, donin të ekzekutonin apo të vrisnin njerëz.
“Ne nuk kemi gjetur asnjë të dhënë, asnjë provë, asnjë informacion që lidhte pretendime të tilla për ekzekutime dhe për vrasje me udhëheqës të tillë, as me zotëri Krasniqi, as me zotëri Thaçi. Rreth 25 vite pasi janë larguar nga qeveria kam pyetur të gjithë ata që mund të kishin pasur informacion lidhur me këtë pretendim dhe jo vetëm në vitin 2000, por edhe dekada më vonë kur miq dhe shokë të mi kishin mundësi që të më japin informacione, asnjëherë nuk më kanë dhënë të dhëna ose informacione që bëjnë lidhjen e këtyre pretendimeve me ndonjë nga drejtuesit e UÇK-së”, deklaroi Rubin.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin tha që Hashim Thaçi nuk ishte në gjendje që të nënshkruante, sepse delegacioni shqiptar i pranishëm në Rambuje duhet që të konsultohej me komandantët në Kosovë.
Në dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, James Rubin tha se çështja e Kosovës ishte një nga më të rëndësishmet që trajtonte Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se zyrtarët amerikanë kanë hetuar akuzat e ngritura për krime lufte, por të gjitha ishin të pavërteta. Sipas tij, këto akuza synonin të cënonin marrëdhënien e tyre.
“Kuptuam që kryesisht ishin të rreme, fabrikuara edhe synonin të dëmtonin, ndikonin në mbështetjen tonë. Ne thjesht ndihmuam njerëzit të mos masakroheshin. Dhe këto akuza synonin ta cënonin këtë marrëdhënien tonë.", deklaroi Rubin.
Ditën e sotme, 15 shtator, pala mbrojtëse e ish-krerëve të UÇK-së ka nisur paraqitjen e provave në gjyqin që zhvillohet në Hagë. Dëshmitari i parë i ftuar nga avokati mbrojtës i Hashim Thaçit është ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.
Kush është James Rubin?
James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.Aktualisht, ai shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.
Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë, si dhe dëshmi të tjera u dhanë me shkrim. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u bë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti. /ZËRI