Bota

Nis sot mbrojtja e ish-krerëvve të UÇK-së, kush është zyrtari i lartë amerikan që do të dëshmojë

James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme

E.K
Nis sot mbrojtja e ish-krerëvve të UÇK-së, kush
Hashim Thaçi dhe James Rubin. Qershor, 1999

HAGË- Do të nisë sot në Gjykatën Speciale në Hagë, mbrojtja e katër ish-drejtuesve të UÇK-së - Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët tashmë prej disa vitesh mbahen në qeli. Ky proces i parapriu dje një proteste në Hagë, ku mijëra shqiptarë nga troje të ndryshme kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Sot, i pari që do të dalë në bankën e dëshmitarëve është James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet kyçe të luftës në Kosovë.

Javën e kaluar ai tha se ka shumë për të treguar mbi atë periudhë, ndërsa në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 11 prill 2023, Rubin theksoi se “UÇK-ja luajti rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në çmilitarizimin e premtuar prej tyre”.

Kush është James Rubin?

James Rubin është një diplomat dhe ekspert i njohur amerikan me mbi 35 vjet përvojë në politikën e jashtme.Aktualisht, ai shërben si Përfaqësues i Posaçëm dhe Koordinator në Qendrën për Angazhim Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Rubin ka qenë këshilltar diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ndihmëssekretar i Shtetit për Çështje Publike dhe zëdhënës i sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Në vitin 1999, ai është angazhuar si negociator i posaçëm për të siguruar çmobilizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë, si dhe dëshmi të tjera u dhanë me shkrim. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u bë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB