Bota

'Luvri' u grabit para syve të tij, rrëfehet roja: Pashë hajdutët që po prisnin xhamin, ishin të fokusur vetëm në...

Ai rrëfeu se ishte fshehur pranë një daljeje emergjence dhe nuk ka dalë prej aty, ndërsa kishte parë të gjithë skenën se si grabitësit kishin prerë xhamin. 

zh.ll
'Luvri' u grabit para syve të tij, rrëfehet roja: Pashë
muzeu i luvrit

PARIS- Roja e muzeut historik të Luvrit, që ishte i pranishëm në atë kohë në sallën "Apollo", ka rrëfyer minutat e para të grabitjes së madhe. Roja iu përgjigj nëpërmjet BFMTV kritikave që ai dhe kolegët e tij morën, të cilët u akuzuan për mosveprim. "Ne jemi recepsionistë, jo oficerë policie. Prioriteti ynë është siguria e njerëzve dhe objekteve", theksoi ai.

Në orën 9:30 të mëngjesit, kur ndodhi grabitj, zakonisht kishte midis 10 dhe 50 vizitorë në dhomën Apollo. Roja e sigurisë tha se mbrojtja e tyre duhej të sigurohej më parë. Ai rrëfeu se ishte fshehur pranë një daljeje emergjence dhe nuk ka dalë prej aty, ndërsa kishte parë të gjithë skenën se si grabitësit kishin prerë xhamin. 

"U fsheha pranë një daljeje emergjence për të parë vendin e ngjarjes dhe për t'i përcjellë informacion policisë. I pashë duke prerë xhamin", thotë ai. Roja e sigurisë thotë se brenda dhomës "nuk dëgjohej asgjë, për shkak të zhurmës nga rrota prerëse".

Megjithatë, ai shton se grabitja ndodhi brenda pak minutash, sa që nuk është e sigurtë nëse grabitësit e kishin parë apo jo rojen. Siç thotë ai, një gjë e tillë "nuk ishte përparësia e tyre. Ata ishin të interesuar për vitrinat. As nuk e di nëse na panë". 

Sidoqoftë, ai nuk mundi t’i dëgjonte çfarë po i thoshin njëri-tjetrit për shkak të zhurmës nga makina e vjedhjes. “Nuk do t’ju ​​them se nuk kisha frikë, por nuk u ndjeva realisht i frikësuar, sepse ata ishin të vendosur dhe nuk u morën fare me ne”, vuri në dukje ai.

Presidenti Emmanuel Macron i kërkoi kabinetit të tij të mërkurën “të përshpejtojë masat e sigurisë” në Luvër. Ai pret një listë propozimesh në zyrën e tij javën e ardhshme.

Hajdutët prenë hekurat e dritares dhe vodhën bizhuteritë e Napoleon Bonapartit. Ata kanë vjedhur nëntë objekte nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës, përfshirë një gjerdan, një karficë dhe një kurorë. Burime brenda muzeut konfirmojnë se diamanti legjendar “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur nga grabitja./ZËRI

Poll

MOS HUMB