KOSOVË- Kosova është tronditur sot nga vendimi i Hagës, duke dënuar me 82 vite burg në total katër ish-krerët e UÇK-së. Ndër të parët që kanë reaguar ëshë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e konsideruar një vendim të padrejtë e të papranueshëm. Përmes një video në rrjete sociale, Haradinaj shprehet se beteja për drejtësi duhet të fitohet në shkallën e dytë.
“Vendimi i sotëm me dënim është i papranueshëm, i padrejtë. UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare. Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë. Jo në emrin tim, jo në emër të popullit të Kosovës vendim dënues për UÇK-së. Shqiptarë kudo që jeni, për Kosovën dhanë jetën njerëzit më të çmuar të kombit tonë. Nuk kemi atdhe tjetër. S’kemi vend tjetër. Ju ndihmojmë armiqve nëse dëmtojmë pronën e Kosovës, jetën e njerëzve tonë. Nëse e shkatërrojmë Kosovën, i ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha Haradinaj.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Në një postim në rrjete sociale, Osmani theksoi se UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit.
"UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!
Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive. Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët.
Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre. Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët.", shkruan Osmani.
Albulena Haxhiu, presidentja në dëtyrë e Kosovës, e konsideron një lajm thellësisht tronditës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar.
"Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.
Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.
Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet.
Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.
Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë.
Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë.
Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë.", shkruan Haxhiu.
Reagim nga radhës e krerëve të Kosovës ka ardhur edhe nga kryeministri Albin Kurti. Përmes një videoje në rrjete sociale, Kurti e quan vendimin një 'padrejtësi të papranueshme' dhe ndëshkim të madh e të dëmshëm.
Reagimi i plotë i Kurtiti:
Të nderuar qytetarë,
Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.
Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë.
Siç e dimë, me akuzat në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe ai serb Millosh Alligrudiq filloi gjithçka më 15 prill 2008, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot më 16 shtator 2026. Asgjë prej pretendimeve e akuzave të ekzagjeruara e absurde mbi të cilat është arsyetuar ngritja e Dhomave të Specializuara, duke nisur prej Shtëpisë së Verdhë e trafikimit të organeve, nuk ka mundur të ngritej nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave.
Për më tepër, aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara rrëzoi pretendimin më të rëndë që ka mbetur në aktakuzë: se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile. Po ashtu, u pa qartë se ky proces nuk ishte gjykim për legjitimitetin apo pastërtinë e luftës së UÇK-së. Gjithashtu nuk u konstatua as kushti më themelor për krime kundër njerëzimit. Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel.
Padrejtësia e akuzave të Prokurorisë është vënë në dukje jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj. Për karakterin e luftës çlirimtare dhe të UÇK-së dëshmuan para vetë Gjykatës edhe personalitete ndërkombëtare që e kishin njohur konfliktin nga afër. Ata përshkruan UÇK-në si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes së shqiptarëve dhe kundërshtuan pretendimin se ajo ishte përgjegjëse për spastrim etnik; gjithashtu ata dëshmuan kundër tezës së një komande të centralizuar që kontrollonte çdo veprim në terren. Këto dëshmi erdhën nga njerëz që panë luftën nga pozita të drejtpërdrejta të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe që dëshmuan për karakterin e saj çlirimtar. Kritikat e tyre, të argumentuara në detaje, e nënvizojnë se vendimi i sotëm mbështetet mbi themele thelbësisht të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo ligjore. Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, t'i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie.
Ky aktgjykim nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja. UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli.
Asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo zvogëluar. Por, po aq e padrejtë do të ishte që konstatimet për veprime të caktuara të shndërroheshin në aktakuzë kundër UÇK-së dhe në gjykim të luftës çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes së një regjimi gjenocidal dhe luftoi për çlirimin e Kosovës. Ky është karakteri politik dhe historik i saj, dhe as arkitektura selektive e një mekanizmi gjyqësor, as një aktgjykim i tij, nuk mund ta zhbëjnë atë. Për një shekull e gjysmë, nga mesi i shekullit XIX e deri te vitet e fundit të shekullit XX, nga instancat e ndryshme por gjithnjë të larta, shtetërore e politike, akademike e pseudo shkencore të Serbisë, janë përpiluar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve.
Dhomat e Specializuara u krijuan me një mandat të posaçëm, por mandati dhe veprimtaria e tyre e përqendruan drejtësinë vetëm mbi njërën palë të luftës. Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike. Këtë ndjesi e ka thelluar edhe transparenca e munguar e një procesi, pjesë të rëndësishme të të cilit janë zhvilluar larg syrit dhe vlerësimit të publikut.
Një mekanizëm në të cilin përgjegjësia penale përqendrohet vetëm te pjesëtarët e një populli apo bashkësie etnike, ndërsa krimet gjenocidale të palës tjetër mbeten jashtë ndjekjes efektive, krijon shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit, paanshmërinë objektive dhe legjitimitetin e vetë institucionit. Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të perceptohet si e tillë.
Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar.
Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e themeluar dhe drejtuar për vite nga Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
PDK e ka cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe të papranueshëm”, duke deklaruar se sot është goditur e drejta e popullit të Kosovës që luftoi për liri.
PDK është partia që ka drejtuar Thaçi deri ditën qe është arrestuar.
REAGIMI I PLOTË:
PDK: Aktgjykim i padrejtë dhe i papranueshëm, beteja për drejtësi vazhdon deri në fund
Prishtinë, 16 shtator 2026 – Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën, zhgënjimin dhe kundërshtimin e saj për aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.
Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot.
Historia jonë është shkruar nga populli ynë që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga një aleancë historike me botën demokratike që, në vitin 1999, i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë.
Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë.
Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia. Ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
Prandaj, vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
Sot, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë.
PDK do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës.
Për ne, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare.
Dhe njerëzit që udhëhoqën luftën dhe proceset politike që sollën lirinë dhe shtetin e Kosovës nuk mund të fshihen nga historia me një vendim gjyqësor.
Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Por sot nuk përfundon as historia, as beteja për të vërtetën.
Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë përherë në mbrojtje të së vërtetës historike, të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të atyre që morën mbi vete barrën e lirisë së Kosovës.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë.
Heronjtë tanë të luftës dhe paqes nuk do t’i lëmë kurrë vetëm. Beteja vazhdon, me ta dhe për ta, deri në lirimin e tyre.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim në total nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim./ZËRI