IRAN- Lufta në Lindjen e Mesme mund të marrë përmasa më të mëdha. Së fundmi, zyrtarë iranianë kanë lëshuar deklarata të forta në lidhje me sulme të reja ndaj korridoreve detare të energjisë përtej Ngushticës së Hormuzit.
Një këshilltar i Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, Ali Akbar Velayati, tha se këto korridore ndërkombëtare të transportit detar e naftës do të jenë në rrezik nëse SHBA dhe Izraeli përshkallëzojnë më shumë situatën.
“Irani do të vazhdojë të luftojë për sa kohë që udhëheqësit politikë e konsiderojnë të përshtatshme. Armiku sigurisht që duhet të pendohet (për fillimin e konfliktit) në mënyrë që pas kësaj lufte të mund të rifitojmë sigurinë dhe të shmangim një tjetër", tha ai.
Sipas televizionit shtetëror iranian Press TV, Velayati tha se Irani e konsideron Ngushticën Bab el-Mandab po aq të rëndësishme strategjikisht sa Ngushticën e Hormuzit.
Deklarata e këshilltarit vjen pas paralajmërimit të Trump, se do pasoja të rënda për Iranin nëse Teherani nuk e hap plotësisht Ngushticën e Hormuzit deri të martën.
Ngushtica Bab el-Mandab ndodhet pranë brigjeve të Jemenit dhe lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe Detin Arabik. Kjo është një rrugë e rëndësishme për anijet që shkojnë drejt Kanalit të Suezit./ZËRI