LIBAN- Izraeli kreu sulmin e tij më të madh në Liban të mërkurën që nga fillimi i luftës me Hezbollahun , duke vrarë të paktën 254 persona dhe duke plagosur 837 të tjerë.
Avionët luftarakë shkatërruan disa ndërtesa në qendër të Bejrutit, duke mbushur qiellin me tym, në atë që ministri i mbrojtjes i Izraelit e quajti “një sulm i papritur” ndaj grupit pro- iranian .
Kryeqyteti libanez ishte plot me makina të shkatërruara nga shpërthimet dhe rrënojat e ndërtesave në flakë që ekipet e ndihmës së shpejtë mezi i shuanin, ndërsa Izraeli bombardoi më shumë se 100 vendndodhje ushtarake të Hezbollahut në të gjithë Libanin.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Binyamin Netanjayu, tha se armëpushimi dyjavor në Lindjen e Mesme nuk e përfshinte Libanin, në kundërshtim me një deklaratë të bërë nga ndërmjetësi Pakistani - ndërsa presidenti amerikan Donald Trump, pasi fillimisht heshtte, tha se Libani ishte "një përleshje e veçantë" dhe jo pjesë e marrëveshjes.
Burime iraniane i thanë agjencisë së lajmeve Tasnim të Iranit se vendi ishte gati të dilte nga marrëveshja e armëpushimit nëse Izraeli “vazhdon të shkelë armëpushimin në Liban” dhe kriza u diskutua nga ministri i jashtëm i Iranit dhe homologu i tij pakistanez.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj Libanit përbëjnë "një rrezik të madh" për armëpushimin e brishtë SHBA-Iran.
“Aktiviteti ushtarak i vazhdueshëm në Liban përbën një rrezik të madh për armëpushimin dhe përpjekjet drejt një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në rajon. Sekretari i përgjithshëm përsërit thirrjen e tij drejtuar të gjitha palëve që të ndërpresin menjëherë armiqësitë”, tha zëdhënësi në një deklaratë të mërkurën./ZËRI