Bota

Kapen aktivistët në Madleen/ Izraeli: Përgatitni qelitë e burgut! Nisin negociatat për lirimin e tyre (REAGIMET)

Anija me vela, që mbante 12 aktivistë nga Franca, Gjermania, Brazili, Turqia, Suedia, Spanja dhe Holanda, u nis nga Italia më 1 qershor për të “thyer bllokadën izraelite” të Rripit të Gazës.

k.m.
Kapen aktivistët në Madleen/ Izraeli: Përgatitni qelitë e
Pamje nga anija

IZRAEL- Ushtria izraelite arrestoi pasagjerët e anijes "Madleen", gjë që shkaktoi reagime ndërkombëtare. Forcat ushtarake izraelite hipën në Madleen, një anije që transportonte ndihma humanitare për në Gaza. Anija mbante aktiviste, përfshirë Greta Thunberg dhe eurodeputeten franko-palestineze Rima Hassan, dhe po përpiqej të "thyente" bllokadën detare të vendosur ndaj enklavës palestineze.

Anija me vela, që mbante 12 aktivistë nga Franca, Gjermania, Brazili, Turqia, Suedia, Spanja dhe Holanda, u nis nga Italia më 1 qershor për të “thyer bllokadën izraelite” të Rripit të Gazës. Ministri i Jashtëm izraelit, Itamar Ben-Gvir urdhëroi përgatitjen e qelive të ndara në burgun Givon në Ramallah. Sipas Aljazeera, zyrtarët e burgut janë udhëzuar të izolojnë aktivistët nga njëri-tjetri dhe nga pjesa tjetër e botës.

Sipas informacioneve, anëtarët e ekuipazhit të Madleen do të transportohen në burgje me xhipa me xhama të errët. Për më tepër, rojeve iu kërkua të ndalonin përdorimin e pajisjeve elektrike, siç janë radiot ose televizorët, nga aktivistët. Ata gjithashtu do të duhet të heqin çdo simbol që lidhet me Palestinën. Po ashtu, njoftimi nga pala izraelite thonë se aktivistët do të mbeten të burgosur derisa secili të ekstradohet në vendin e vet . 

Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi kthimin në atdhe të 6 shtetasve francezë që ishin në bordin e anijes. 

"Që kur u njoftuam për planin e tyre, pavarësisht rreziqeve për të cilat i kishim paralajmëruar, kemi qenë në kontakt me autoritetet izraelite për të shmangur çdo incident,"- tha gjithashtu Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot në një deklaratë për shtyp.

Sekuestrimi i anijes me vela nga Izraeli

Mesazhin e fundit nga varka e tha Greta Thunberg.

"Emri im është Greta Thunberg dhe jam nga Suedia. Nëse po e shikoni këtë video, na kanë ndaluar dhe na kanë rrëmbyer në ujëra ndërkombëtare forcat ushtarake izraelite, ose nga forcat e mbështetura nga Izraeli. I bëj thirrje të gjithë miqve, familjes dhe shokëve të mi që të bëjnë presion mbi qeverinë suedeze që të më lirojë mua dhe të tjerët sa më shpejt të jetë e mundur,"- tha Thunberg në një video.

Ndërsa më pas janë nxjerrë edhe pamjet e arrestimit. Në pamje duken aktivistët në varkë me jelekë shpëtimi portokalli, me duart lart në momentin e arrestimit, ndërsa disa prej tyre dorëzojnë telefonat e tyre celularë sipas udhëzimeve. Disa të tjerë telefonat i hodhën në det.

Kapen aktivistët në Madleen/ Izraeli: Përgatitni qelitë e
Momenti i arrestimit

Pasi arriti në brigjet egjiptiane, Madeleine filloi t'i afrohej Gazës pavarësisht paralajmërimeve nga Izraeli. Anija me vela u devijua në portin e Ashdodit në Izraelin jugor, jo shumë larg Gazës, ku pasagjerët do të zbrisnin.

Agjencia France-Presse nuk mundi të kontaktonte asnjë nga pasagjerët pasi anija u sekuestrua.

Reagimet ndërkombëtare

Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi lirimin e të burgosurve, ndërsa edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump thuhet se po planifikon të flasë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Telefonata do të zhvillohet ndërsa Trump përpiqet të përshpejtojë hyrjen e ndihmave në Gaza dhe përpiqet të bindë Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Sipas El Pais dhe Al Jazeera Arabic, duke cituar një burim në Ministrinë e Jashtme spanjolle, i ngarkuari spanjoll me punë në Izrael është thirrur për të shpjeguar çfarë ka ndodhur në det. Kjo sepse një nga aktivistët është nga Spanja.

Po anija "Madleen" duket se është e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, sipas faqes së ndjekjes së anijeve "Marine Traffic", e cila e liston atë nën emrin e saj zyrtar, Barcarole. Flamuri i Mbretërisë së Bashkuar do të thotë që anija i nënshtrohet ligjeve dhe rregulloreve britanike dhe është nën mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar. Ndaj raportuesja speciale e OKB-së për të drejtat e njeriut Francesca Albanese, i bëri thirrje qeverisë britanike që “të kërkojë urgjentisht sqarime të plota” dhe të kërkojë lirimin e anijes dhe ekuipazhit të saj.

Sipas BBC-së, zëdhënësi zyrtar i Kryeministrit u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp në Doëning Street se: Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë mbi situatën humanitare në Gaza. Kryeministri e përshkroi atë si të tmerrshme dhe të papranueshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB