
BRITANI E MADHE- 44-vjeçarja Kemi Badenoch është liderja e re e Partisë Konservatore në Britani, pas një lufte të brendshme disamujore që pasoi humbjen e dhimbshme në zgjedhjet e mbajtura në korrik. Pasardhësja e Sunak është në krahun e djathtë të Partisë Konservatore dhe ka mbrojtur parimet thelbësore të partisë së saj. Në garë për vendin e parë ajo u fut me 6 kandidatë të tjerë, por u zgjodh duke mundur ish-ministrin e Emigracionit Robert Jenrick.
Badenoch u bë udhëheqësja e parë konservatore me ngjyrë duke marrë 53,806 vota, përkundër 41,138 që siguroi Jenrick.
Por kush është liderja e re e konservatorëve?
E lindur në Londër dhe e rritur në Nigeri, 44-vjeçarja Olukemi Olufudo Adegoke u zgjodh si deputete konservatore në vitin 2017, duke marrë mbiemrin e bashkëshortit të saj Badenoch. Që kur ishte në Nigeri, ajo vetë admironte Margaret Thatcher. Ajo u kthye në Britani në moshën 16-vjeçare dhe bëri një Master në Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin e Sussex.
Nëna e 3 fëmijëve ka punuar në banka dhe si IT përpara se t'i bashkohej politikës. Në tre qeveritë e Boris Johnson, Liz Truss dhe Rishi Sunak, ajo ka mbajtur poste të ndryshme. Megjithatë, fitoi shumë terren nga krahu i djathtë pasi mbajti një qëndrim të ashpër si Ministër i Barazisë për të drejtat e komunitetit LGBTI+.
Kur Boris Johnson dha dorëheqjen, Badenoch kishte kundërshtuar udhëheqjen e konservatorëve, por doli e katërta në garë. Kur shpalli kandidaturën e saj këtë herë, ajo tha se Partia Konservatore nuk duhet të sillet më si Laburiste për t'u rikthyer në pushtet.
“Partia jonë është kritike për suksesin e vendit tonë, por që të dëgjohemi duhet të jemi të sinqertë, të ndershëm për faktin se kemi bërë gabime. Është koha për të thënë të vërtetën, për të mbrojtur parimet tona, për të planifikuar të ardhmen tonë, për të rivendosur politikën dhe mendimin tonë dhe për t'i dhënë partisë dhe vendit tonë fillimin e ri që meritojnë. Është koha për një rifreskim.”
Po ashtu, ajo njihet si një përkrahëse e tregjeve të lira dhe lirisë së fjalës.
Kryeministri laburist i Britanisë, Keir Starmer, e ka mirëpritur fitoren e saj, duke thënë se “liderja e parë me ngjyrë e një partie të Uesministerit, përbën moment krenarie për shtetin tonë”. Vetë Badenoch ka thënë publikisht se nuk preferon të ketë fokus në racën e saj.
E pyetur në Partinë Konservatore më herët gjatë viti se si do të ndihet nëse bëhet gruaja e parë me ngjyrë në krye të partisë, ajo ka thënë se dëshiron që “ngjyra e lëkurës të mos ketë më shumë rëndësi sesa ngjyra e flokëve apo e syve”. Me një fillim jo shumë të lehtë të laburistëve në udhëheqje të shtetit, disa konservatorë besojnë secilën herë e më shumë se mund të kthehen në pushtet në zgjedhjet e radhës, që do të duhen të mbahen më 2029./ZËRI