
NAIROBI- Republika e Kenias e ka njohur sot Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Lajmin për këtë e ka dhënë, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli. Ai ka shpërndarë foto në rrjetet sociale duke shkruar se kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë por është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës.
“Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të! Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet,”- ka shkruar Pacolli.
Po ashtu, Pacolli shkruan se presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016.
POSTIMI I PLOTË:
“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, ka shtuar Pacolli.
Kosova deklaroi pavarësinë e saj me 17 shkurt 2008. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u dërguan letra në drejtim të të gjitha qeverive të botës për njohjen e saj. Njohjet e para filluan menjëherë pas disa orësh, ndërsa më 18 shkurt 2008, Afganistani ishte shteti i parë që njohu Kosovën shtet të pavarur./ZËRI