KOSOVË- Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. Mbi 2 milionë votues u janë drejtuar këtë të dielë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 38 komunave. Këto janë zgjedhjet e dytë brenda një viti në Kosovë, pas atyre të 9 shkurtit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se vendvotimet në të gjitha komunat e Kosovës do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në 19:00. Sipas të dhënave të KQZ-së, në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime. Ndërkohë, dje ka qenë afati i fundit i votimit të zgjedhësve nga diaspora, ku gjithsej janë regjistruar 44 mijë votues nga jashtë vendit. Procesi ka nisur më 17 shtator dhe ka përfunduar më 11 tetor.
Zgjedhjet lokale mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit. Për më shumë se dy vjet, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë.
Numri i subjekteve të regjistruara për këto zgjedhje është 93, prej të cilave: 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. 205 kandidatë janë për kryetar komune dhe 5,419 synojnë të jenë anëtarë në Kuvendet Komunale.
Institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme./REL