
PRISHTINË- Prokuroria Speciale e Kosovës ka reaguar sërish pasi kryeministri Albin Kurti nuk e zbatoi urdhrin e Gjykatës së Prishtinës që të shkonte dhe të dëshmonte këtë të martë. Kryeministri i Kososvës, Albin Kurti do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale në orën 10:00 pas urdhrit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për të dhënë dëshminë e tij, në cilësinë e dëshmitarit për rezervat shtetërore.
Fakti që Kurti nuk ishte paraqitur, u bë me dije nga Prokuroria Speciale, e cila theksoi se për shkak se kryeministri nuk i bindet ligjit, do të veprojë sipas legjislacionit në fuqi.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veproj duke respektuar legjislacionin në fuqi,”- sipas njoftimit zyrtar.
Reagimi i kryeministrit ka ardhur nga Gjilani, duke përsëritur edhe njëherë se i mirëpret hetuesit e Prokurorisë Speciale në zyrën e tij, duke refuzuar që të paraqitet vetë në institucionin e drejtësisë. Po ashtu, kreu i qeverisë shtoi se Prokuroria, sipas tij, më shumë po lufton qeverinë e tij sesa krimin dhe korrupsionin.
“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj...Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhen. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit...S’ka ndonjë arsye që të mos vazhdojë. Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pas të rëndësishme dëshminë time, duhet të vinte te ne. Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin,"-tha Kurti nga Gjilani.
Por pavarësisht pretendimeve të Kurtit, fakti që ai nuk po paraqitet në Prokurori mund të ketë pasoja për të. Varur prej kërkesës që ka bërë Prokuroria Speciale, ai mund të gjobitet me 250 euro, ose edhe mund të paraburgoset. Nëse e bëjnë me detyrim paraqitjen e tij në Prokurori dhe nuk dëshmon, atëherë paraburgoset pas pikës 2 të nenit 131.
Kurti është thirrur në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore, në të cilin është e implikuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari. Në gusht të vitit të kaluar, disa persona ishin arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Asokohe, Hajdari tha se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk kishte dhënë më shumë detaje, ndërsa urti i kishte dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”. Pas ftesës për intervistim në Prokurorinë Speciale, nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare në lidhje me rezervat shtetërore, Hajdari ishte mbrojtur me heshtje para prokurorve.
Rezervat shtetërore përbëhen nga mielli, vaji, sheqeri, barnat, produktet higjienike, nafta etj., që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme - si pasojë e fatkeqësive natyrore apo luftërave - por edhe në rast të mungesës së këtyre artikujve në treg.
Kosova nisi mbledhjen e këtyre rezervave nga viti 2012. Ato sigurohen me buxhet të shtetit, por edhe nga mallrat që konfiskohen për shkak të veprave kundërvajtëse dhe kalojnë në pronësi të shtetit. Se sa është sasia e këtyre rezervave nuk dihet, meqë ky informacion, me Ligjin për rezervat shtetërore, konsiderohet sekret shtetëror, ashtu si edhe vendndodhja e tyre./ZËRI