
BRITANI E MADHE- Policët britanikë hyjnë me forcë në një shtëpi dhe ecin në një korridor të errët për të gjetur një fermë kanabisi, e cila ishte pronë e bandave shqiptare. Deri më tani, këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Duket si çdo operacion tjetër droge në Mbretërinë e Bashkuar. Por ajo që e bën këtë fermë të pazakontë është vendndodhja e saj - zona West Derby e Liverpulit, një qytet ku mafia shqiptare ka luftuar prej kohësh për të depërtuar pasi deri më tani duket se e ka pasur të pamundur, edhe pse dominon tregun e narkotikëve në pjesën tjetër të Britanisë.
"MailOnline" ka siguruar mesazhet sesi bandat lokale që "zotërojnë" Liverpulin ushtrojnë kontroll mbi tregtinë e drogës në Liverpul dhe janë të kujdesshëm të mos lejojnë rivalët e tyre ballkanikë të fitojnë territor.
Por, si kanë arritur gangsterët Scouse të ruajnë dominimin e tyre përballë vështirësive të përballjeve me bandat shqiptare?
Biseda e vëllezërve Coggins në EncroChat rreth punës me shqiptarët
Francis: Dhe ai "fëmija" që pamë dje, duket shumë i sigurt se mund të na zgjidhë punë nga Cartagena [qytet në Kolumbi], ai tha 5500 dollarë. Një djalë i ri shqiptar, me bazë në Marbella, do të hedhë 100 për korrupsion, thashë se nuk jemi të interesuar nga Spanja, por do ta çoj në Scouse.
Vincent: Disa albos [shqiptarë] atje poshtë kanë kërkuar të bëjnë punën e tyre
Francis: Po, punë e vështirë me albos-at. I thashë se nuk ishim të interesuar, por i çova në dikë tjetër.
Shikuesit e "This City Is Ours" mund të kujtojnë një skenë ku Jamie Phelan - i cili po përpiqet të nxisë Michael Kavanagh si kreun e perandorisë së tij familjare të drogës - sugjeron blerjen e një ngarkese droge nga tregtarët shqiptarë. Por Michael e refuzon me zemërim idenë, duke thënë: Nëse përfshin shqiptarët, duhet ta dish se ata nuk largohen kurrë.
Edhe pse skena është fiktive dhe pjesë e një filmi, duket se përkon shumë mirë me jetën reale. Sipas një burri nga Liverpuli, i cili ka dijeni për tregtinë e drogës, kjo bisedë është shumë reale. Sipas tij,shefat e bandave në Liverpul nuk duan që të bashkëpunojnë me shqiptarët.
"Ata nuk duan të punojnë me shqiptarë. Ata lëvizin para dhe ndajnë informacione dhe burime. Por nëse vëllezërit Coggins do të kishin dëgjuar se shqiptarët donin të hynin në tregun e shitjes me pakicë në Merseyside, biseda do të kishte qenë shumë ndryshe. Do të kishte qenë luftë,"-i tha ai MailOnline.
Aq më tepër që Francis shkruan në një mesazh tjetër: Qyteti është i imi ose vdes!
Burimi i MailOnline shtoi: Pra, Francis është shumë i qartë se kush e drejton Liverpoolin dhe nuk janë shqiptarët.
Bandat shqiptare besohet se kanë marrë përsipër tregtinë e kokainës prej 5 miliardë paundësh në vit në Mbretërinë e Bashkuar duke negociuar drejtpërdrejt me kartelet kolumbiane. Kështu i kanë ulur ndjeshëm rivalët. Ata janë ndihmuar gjithashtu nga lidhjet e ngushta me 'Ndrangheta'-n italiane, e cila dominon tregun e kokainës në Evropën kontinentale. Vitin e kaluar, një dokument ligjor i publikuar nga Ministria e Brendshme i përshkroi bandat kriminale shqiptare si një 'kërcënim akut' për Mbretërinë e Bashkuar dhe si 'shumë të përhapura' në të gjithë Britaninë.
Liverpuli ka kohë që spikatet si një nga qytetet e pakta të mëdha që shqiptarët nuk kanë qenë në gjendje ta shfrytëzojnë, me gangsterë vendas që ruajnë dominimin e tyre duke shfrytëzuar lidhjet e tyre me komunitetet lokale. Të pyetur për të shpjeguar këtë fenomen, ekspertët kanë vënë në dukje vështirësinë e "përzierjes" së shqiptarëve në Merseyside siç mund të ndodhte në Londër ose Birmingham.
Vëzhgues të tjerë të botës së krimit besojnë se kontrolli mbi Portin e Liverpulit u jep gjithashtu një avantazh gangsterëve vendas.
Sërish burimi tregon: Nëse e ke portin, e ke qytetin. Nëse shqiptarët donin të bënin një lëvizje për të kontrolluar tregun, fillimisht ata do të duhet që të merrnin kontrollin e portit. Por duke se kjo gjë nuk ka gjasa që të ndodhë tani afër./ZËRI
Marrë nga Dailymail