Bota

Lamtumirë Papa Françesku! Bota përcjell sot në banesën e fundit Atin e Shenjtë

Autoritetet italiane dhe të Vatikanit e kanë vendosur zonën përreth Shën Pjetrit nën siguri të rreptë me dronë të bllokuar, snajperë në çati dhe avionë luftarakë në gatishmëri. 

F.I
Lamtumirë Papa Françesku! Bota përcjell sot në
Papa Françesku

VATIKAN-Përcillet sot në banesën e fundit, kreu i kishës katolike Papa Françesku,  i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, i cili mbylli sytë më 21 prill,  në moshën 88-vjeçare. Mijëra besimtarë dhe mbi 170 delegacione nga mbarë bota mblidhen para Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Ceremonia pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha shtetërore dhe fetare të dekadës, me praninë e krerëve të shteteve, qeverive dhe udhëheqësve shpirtërorë.

Liderët botërorë do të marrin pjesë në ceremoninë mortore, duke nisur nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Trump këmbëngul: “Do ta shoh Melonin dhe do të kem sa më shumë takime, por programi zyrtar nuk përfshin asnjë takim dypalësh.” Të pranishëm do të jenë gjithashtu presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari në largim Olaf Scholz, kryeministri britanik Keir Starmer e Princi William. 

Në ceremominë mortore të Papa Françeskut, nga Shqipëria merr pjesë Presidenti Begaj me bashkëshorten, ministri Igli Hasani dhe ministrja Adea Pirdenji, ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj, si edhe krerët e komuniteteve fetare, kreu i Kishës Katolike, Arjan Dodaj, kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, Kryegjyshi i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe Kryepeshkopi i Ortodoksëve, Joani.

Autoritetet italiane dhe të Vatikanit e kanë vendosur zonën përreth Shën Pjetrit nën siguri të rreptë me dronë të bllokuar, snajperë në çati dhe avionë luftarakë në gatishmëri. 

Papa Françesku ka zgjedhur një arkivol të thjeshtë prej druri, të mbushur me zink, duke shmangur përdorimin e tre arkivoleve tradicionale që përdoren zakonisht për papët. Ai do të prehet në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë – një vend i shenjtë për të, ku është lutur shpesh gjatë viteve të papatit. Ky është një vendim historik, pasi është hera e parë që një papë varroset jashtë Vatikanit që nga viti 1903.

Papa Françesku do të mbahet mend për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për thirrjet e tij të vazhdueshme për paqe, drejtësi sociale dhe ruajtjen e mjedisit.

Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 21 prill një ditë pas Pashkëve. Papa Françesku vdiq nga një goditje në tru dhe si pasojë e dështimit të pakthyeshëm të zemrës. Për nëntë ditë me radhë u mbajt meshë në përkujtim të shpirtit të Françeskut – të ashtuquajturat novendiale./ZËRI

Poll

MOS HUMB