PARIS- Kryeministri i rizgjedhur i Francës, Sébastien Lecornu, paralajmëroi të shtunën se kabineti i tij i ardhshëm nuk duhet të “mbahet peng” nga partitë politike, ndërsa u zotua të përballet me krizën e thellë politike që po trondit vendin. Lecornu, i cili u rikthye në detyrë vetëm disa ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen, tani përballet me një garë me kohën për të dorëzuar projektbuxhetin e vitit 2026 deri të hënën dhe për të bindur një parlament të përçarë.
Kryeministri i saporikthyer vizitoi të shtunën një komisariat policie në jug të Parisit, dalja e tij e parë publike që nga rikthimi i diskutueshëm në detyrë.
Presidenti Emmanuel Macron e rizgjodhi Lecornu-n të premten në mbrëmje, vetëm katër ditë pas dorëheqjes së tij dhe shpërbërjes së një qeverie që kishte qëndruar në fuqi për vetëm 14 orë – një vendim që ngjalli valë kritikash.
Lecornu, 39 vjeç, duhet tani të formojë një kabinet të ri për të paraqitur projektbuxhetin e vitit 2026, në përpjekje për t’i dhënë fund muajve të paralizës politike dhe për të frenuar borxhin në rritje të Francës.
“Unë do të bëj detyrën time dhe nuk do të jem problem,” tha ai, duke paralajmëruar se kabineti i tij “nuk duhet të mbahet peng nga interesat partiake”.
Megjithatë, nuk dihet sa do të zgjasë qeveria e tij, pasi rizgjedhja ka shkaktuar zemërim në të gjithë spektrin politik dhe premtime për ta rrëzuar atë në rastin e parë të mundshëm.
Kreu i partisë së ekstremit të djathtë, Rassemblement National, Jordan Bardella, e quajti rizgjedhjen e Lecornu-t “një shaka të keqe” dhe tha se do të kërkojë menjëherë rrëzimin e kabinetit të ri.
Partia e djathtë Les Républicains (LR), e ministrit të brendshëm në largim Bruno Retailleau, deklaroi se nuk do të marrë pjesë në qeverinë e re, megjithatë disa deputetë të saj lanë të kuptohet se mund ta mbështesin kabinetin në parlament pa u bërë pjesë e tij.
Nga ana tjetër, socialistët thanë se nuk kanë “asnjë marrëveshje” me Lecornu-n dhe do të kërkojnë rrëzimin e qeverisë së tij nëse ai nuk pranon të pezullojë reformën e pensioneve të vitit 2023, e cila e rriti moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.
Franca është zhytur në ngërç politik që prej vitit të kaluar, kur Macron vendosi të zhvillonte zgjedhje të parakohshme me shpresën për të forcuar pushtetin, por përfundoi me një parlament të varur dhe një rritje të ndjeshme të vendeve të ekstremit të djathtë.
Vendi ndodhet gjithashtu nën presionin e Bashkimit Evropian për të ulur deficitin dhe borxhin publik, ndërsa pikërisht për shkak të masave shtrënguese kishin rënë edhe dy paraardhësit e Lecornu-t.
Vetë Lecornu është zotuar se do të bëjë “çdo përpjekje të mundshme” për t’i dhënë Francës një buxhet brenda vitit, duke e cilësuar rikthimin e stabilitetit financiar si “prioritet për të ardhmen”.
Megjithatë, koha po mbaron për t’i dhënë parlamentit 70 ditët që kërkohen me kushtetutë për shqyrtimin e buxhetit para fundit të vitit.
Presidenti Macron, përballë krizës më të rëndë të brendshme që prej fillimit të mandatit të tij në vitin 2017, nuk është shprehur publikisht që nga rënia e qeverisë së parë të Lecornu-t.
Lecornu, një besnik i Macron-it që më parë ka shërbyer si ministër i mbrojtjes, pranoi të qëndronte në detyrë edhe për dy ditë pas dorëheqjes, për të zhvilluar konsultime me të gjitha partitë politike. Ai deklaroi të mërkurën mbrëma në televizionin francez se beson se një version i rishikuar i projektbuxhetit për vitin 2026 mund të paraqitet të hënën, në mënyrë që të respektohet afati për miratimin e tij deri në fund të vitit.
Të premten, Lecornu paralajmëroi se kushdo që dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së tij “duhet të angazhohet të lërë mënjanë ambiciet presidenciale” për zgjedhjet e vitit 2027. Lista e ministrave që ai propozoi javën e kaluar u kritikua se nuk sillte mjaftueshëm “ndryshim nga e kaluara”, dhe të mërkurën ai sugjeroi që kabineti i ri të përfshijë edhe teknokratë.
Në një zhvillim të pazakontë, ish-kryeministri Édouard Philippe, një nga kandidatët e mundshëm për zgjedhjet presidenciale të ardhshme, deklaroi më herët këtë javë se Macron duhet të japë dorëheqjen pasi të kalojë buxheti. Por presidenti ka këmbëngulur se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të tij.
Ndërkohë, ekstremi i djathtë sheh shansin më të mirë të tij historik për të marrë pushtetin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, pasi Macron nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë. Kandidatja e tre mandateve të fundit, Marine Le Pen, është e përjashtuar nga gara për shkak të një dënimi për korrupsion, por Jordan Bardella, 30-vjeçar dhe krahu i saj i djathtë, mund të jetë kandidati i ri i partisë./Përktheu nga France 24-ZËRI