Princi Andrew i ka shkruar Jeffrey Epstein-it në një email: “jemi në këtë bashkë”, pasi në vitin 2011 u publikua për herë të parë fotografia e tij duke përqafuar Virginia Giuffre, atëherë adoleshente.
Ky email pritet të shtojë më tej presionin ndaj Dukës së Jorkut dhe familjes mbretërore britanike, pasi më herët Andrew i kishte thënë BBC-së se kishte ndërprerë kontaktet me Epstein-in që në atë periudhë.
Korespondenca mes vëllait më të vogël të mbretit dhe financierit të dënuar për abuzime seksuale, e publikuar nga Mail on Sunday dhe The Sun on Sunday, tregon se kjo nuk ishte e vërtetë.
Andrew i shkroi Epstein-it më 28 shkurt 2011, një ditë pasi fotografia e njohur e dukës, Giuffre dhe Ghislaine Maxwell u bë publike. Ai i kërkoi Epstein-it të “mbante kontakte të ngushta” dhe shprehu dëshirën “të luanin sërish së shpejti”.
Në vitin 2019, Andrew i tha programit Newsnight të BBC-së se kishte ndërprerë miqësinë me Epstein-in në dhjetor të vitit 2010, pas publikimit të fotove ku të dy shiheshin duke ecur bashkë në Nju Jork.
Por në emailin e dërguar pas publikimit të fotos, Andrew shkruante:
“Jam po aq i shqetësuar për ty! Mos u shqetëso për mua! Duket se jemi në këtë bashkë dhe do të duhet ta përballojmë. Gjithsesi, mbajmë kontakte të ngushta dhe do të luajmë sërish së shpejti!!!!”
Thuhet se ai e ka mbyllur mesazhin me nënshkrimin: “A, HRH The Duke of York, KG.”
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun federal të Manhattan-it në gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për trafik seksual. Vdekja u cilësua si vetëvrasje.
Në vitin 2008 ai ishte shpallur fajtor për akuzat e kërkimit të prostitucionit dhe prostitucion me të mitur, për të cilat kishte vuajtur dënim me burg.
Në janar të këtij viti, një pjesë e emailit të Dukës së Jorkut doli në dokumentet e gjykatës. Në atë kohë u raportua se ishte dërguar nga një “anëtar i familjes mbretërore”.
Emaili lidhej me një kërkesë të bërë nga Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA), rregullatori bankar britanik, dhe u përfshi në dokumentet gjyqësore për një çështje që përfshinte ish-shefin ekzekutiv të Barclays, Jes Staley. Staley po apelonte kundër një vendimi të FCA-së që e akuzonte për deklarata mashtruese mbi natyrën e marrëdhënies së tij me Epstein-in.
Në intervistën e nëntorit 2019 me Newsnight, Andrew i tha gazetares Emily Maitlis:
“E ndërpreva kontaktin me të [Epstein-in] pasi u bëra i vetëdijshëm që ai po hetohej, që ishte më vonë në vitin 2006, dhe nuk pata më kontakte me të deri në 2010.”
Ai shtoi se në dhjetor 2010 “duhej të tregoja lidership dhe shkova ta takoja për t’i thënë ‘kjo ishte’.”
Buckingham Palace dhe zyra e Dukës së Jorkut janë kontaktuar për koment.
Ndërkohë, këtë fundjavë është bërë e ditur edhe se Tony Blair është takuar me Epstein-in në Downing Street, kur ishte kryeministër, pas një rekomandimi nga Peter Mandelson, i cili muajin e kaluar u shkarkua nga posti i ambasadorit në SHBA pasi dolën të dhëna të reja mbi afërsinë e tij me Epstein-in.
Takimi i Blair me Epstein-in ndodhi më 14 maj 2002 dhe është dokumentuar në dosje të publikuara nga Arkivat Kombëtare. Ky takim paraprinte dënimin penal të Epstein-it.
Në atë kohë, Mandelson ishte deputet laburist pa funksion qeveritar, pasi ishte dorëhequr për herë të dytë mes polemikash. Në një email dërguar shefit të kabinetit të Blair-it, Jonathan Powell (tani këshilltar për sigurinë kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar), Mandelson e kishte përshkruar Epstein-in si një person “të sigurt” dhe “mik”./ZËRI