Bota

LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për president! Reagon LDK: Vetëvendosja nuk reflekton përpjekje serioze

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, LVV shkruan se ky vendim erdhi, pasi nuk u arrit që të gjendej një konsensus me opozitën për gjetjen e një figore konsensuale për President.

zh.ll
LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për president! Reagon LDK:
Glauk Konjufca

KOSOVË- Pak orë nga përfundimi i afatit, mesnatën e sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se do të propozojë Glauk Konjufcën për President të Republikës së Kosovës. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, LVV shkruan se ky vendim erdhi, pasi nuk u arrit që të arrihej një konsensus me opozitën për gjetjen e një figure konsensuale për President.

LVV-ja u bëri thirrje edhe një herë partive opozitare që të propozojnë kandidatët e tyre për postin e presidentit, duke ofruar madje mbështetje për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme nga grupi i saj parlamentar, nëse një gjë e tillë kërkohet. 

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, që erdhën si rezultat i një bllokade mbi dhjetëmujore, përveçse u mbajtën në një afat të afërt kohor, dhanë gjithashtu rezultatin më të qartë në historinë e Kosovës së pasluftës. Qytetarët folën fuqishëm kundër bllokimit të shtetit dhe në favor të themelimit të institucioneve.

Në përputhje me këtë rezultat, pa asnjë vonesë u konstituuan dy institucionet themelore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa procesi i radhës që kemi përpara është ai i zgjedhjes së Presidentit.

Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë.

Pavarësisht insistimit tonë, nga këto subjekte nuk morëm asnjë propozim konkret, ndërsa u refuzuan edhe ofertat tona me emra të caktuar.

Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme.

Në këto rrethana, Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca.

Në të njëjtën kohë, i ftojmë edhe njëherë subjektet opozitare që të propozojnë një kandidat. Nëse u nevojiten nënshkrime plotësuese ne ju ndihmojmë nga grupi ynë parlamentar.

Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara.

Menjëherë pasi Vetëvendosje propozoi Glauk Konjufcën për president të Republikës, ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. LDK deklaron se zgjedhja e presidentit duhet të zhvillohet me përgjegjësi institucionale. Sipas LDK-së, qasja e VV-së nuk reflekton përpjekje serioze për zgjidhje.

Komunikatë për media nga LDK-ja:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore.

Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar.

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional.

LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare.

Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë./ZËRI

Poll

MOS HUMB