GREQI- Një ngjarje e rëndë ka tronditur Athinën dhe zonat përreth saj. Policia greke ka zbuluar trupin e pajetë të një personi të lidhur dhe të djegur në pjesën e pasme të një automjeti, në zonën e Skourtas, në Viotia, pranë kryeqytetit grek.
Sipas mediave vendase, një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me zhdukjen e një punëtori shqiptar ndërtimi, i cili rezulton i humbur prej katër ditësh. Burime nga policia bëjnë me dije se shqiptari, që jetonte në Evia dhe nuk kishte precedentë penalë, është parë për herë të fundit teksa udhëtonte drejt Vilias, ku kishte marrë në makinë një të njohur, të cilin e kishte lënë rrugës.
Zgjedhja e vendit, mënyra e prangosjes së viktimës dhe më pas djegia e automjetit kanë ngritur dyshime të forta se bëhet fjalë për një ngjarje të mirëorganizuar kriminale. Trupi i karbonizuar u gjet pasditen e së premtes në sediljen e pasme të makinës, me duart e prangosura. Automjeti ishte gjetur në një zonë tepër të izoluar, ku mund të shkohej vetëm përmes një rruge rurale në gjendje të keqe.
Hetimet kanë zbuluar se makina ishte vjedhur më parë në zonën e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara. Burime policore kanë bërë të ditur se një shqiptar me profesion punëtor ndërtimi është raportuar i zhdukur në të njëjtën zonë, ndërsa po pritet përgjigjja e analizës së ADN-së për të përcaktuar nëse trupi i gjetur është i tij. Mostrat e ADN-së janë marrë nga të afërmit e tij dhe nga trupi i dekompozuar.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Greqi, ndërsa autoritetet po hetojnë në disa pista për të zbardhur motivet dhe autorët e mundshëm të kësaj vrasjeje makabre./ZËRI