KOSOVË- Prokuroria Themelore në Gjakovë ka depozituar në Gjykatën Themelore kërkesë për caktimin e paraburgimit 30-ditor për Astrit Isufi, autori i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Driton dhe Naim Morina. Prokuroria e akuzon për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Aktualisht, i dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit 48 orësh, në pritje të vendimit të gjykatës për paraburgimin.
Sipas Prokurorisë, autori është dhëndër i familjes së viktimave dhe kishte shkuar në shtëpinë e tyre për të marrë bashkëshorten e tij, I.M., dhe fëmijët, të cilët ndodheshin aty për ceremoninë e varrimit të babait të saj. Por gjatë largimit nga shtëpia, ka shpërthyer një debat mes Isufit dhe vëllezërve Morina, për shkak të problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tyre. Debati ka agravuar dhe autori ka nxjerrë një armë pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në ndaj kunetërve të tij, duke i lënë të vdekur në vend.
Ndërkohë, motra e viktimave dhe bashkëshortja e autorit, ka qenë duke përshëndetur nënën e saj, në momentin kur Isufi ka qëlluar në drejtim të vëllezërve. Më pas, autori ka hedhur armën dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa është arrestuar ditën e nesërme.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet A.I., më datë 06.11.2025 rreth orës 11:25 minuta, në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, me dashje ka vrarë tani të ndjerët D.M., dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lart, tek shtëpia e të ndjerëve për t’a marrë bashkëshorten I.M., dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe të ndjerët tashmë D.M., dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre”, njofton Prokuroria.
Ditën e enjte, 6 nëntor, në fshatin Golluboc të Malishevës, Astrit Isufi vrau para shtëpisë së tyre dy vëllezër, (kunetërit e tij) Driton dhe Naim Morina. Sherri që përfundoi në tragjedi duket ka nisur pas një konfrontimi verbal që ai ka pasur me viktimat. Isufi kishte shkuar të merrte gruan e tij e cila ishte për ngushëllime në shtëpinë e vëllezërve, pas vdekjes së babait të saj. Fillimisht, autori kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa të premten policia ka arritur ta arrestojë atë. Isufi ishte fshehur në një godinë të pabanuar, deri në momentin e arrestimit nga policia./ZËRI


